Në Shqipëri gjatë 11 muajve vetëm 2.1 milionë të huaj në hotele
2.1 milionë të huaj kanë qëndruar në hotele dhe ambiente të ngjashme në 11 muaj të vitit 2024. Vetëm 20 përqind e hyrjeve janë regjistruar në strukturat akomoduese, raporton Klan.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga Janari deri në Nëntor të vitit të kaluar strukturat hoteliere kanë regjistruar një rritje të akomodimeve me 57% në krahasim me 2023-in.
Ajo që bie në sy është fakti se nga 11 milionë të huaj të hyrë në Shqipëri në 11 muaj, vetëm 2.1 milion rezultojnë të reflektuar në shifrat e hoteleve, thënë ndryshe vetëm 19% e totalit.
Megjithatë pesha që zë kjo shifër në totalin e hyrjeve është rritur në krahasim me vitin 2023, gjë që reflekton një prirje drejt formalizimit.
Shifrat e fundit të INSTAT tregojnë se ashtu si gjatë gjithë vitit edhe Nëntori shënoi një rritje të flukseve turistike.
Numri i vizitorëve jo-rezident në hotele u rrit me 52%, në krahasim me Nëntorin e 2023.
Shumica e 97 mijë të huajve të akomoduar, kanë qëndruar në rajonin qendror, pasuar nga veriu dhe jugu i vendit.
Gjatë këtij muaji është rritur edhe norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” në 19,5 % kundrejt 12,7% që ishte në muajin Nëntor 2023.