Në RMV dhe mbarë botën islame sot festohet Kurban Bajrami, gëzuar!

Besimtarët muslimanë në RMV dhe mbarë botën islame sot e festojnë Kurban Bajramin, një ndër festat më të mëdha islame.

Në ora 4.25 besimtarët në Shkup e kanë falur namazin e sabahut, ndërkaq në 5.41 namazin e Kurban bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup dhe u transmetua drejtpërdrejtë në TVM2.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, reis Shaqir efendi Fetahu në porosinë e Kurban Bajramit theksoi se ndihma e Zotit vjen kur njeriu mobilizon të gjitha potencialet e tij fiziko-shpirtërore

“Ibrahimi na mësoi se jeta njerëzore është e vlefshme vetëm kur i përkushtohet Zotit dhe vlerave më të larta shoqërore. Rruga e jetës së Ibrahimit dhe djalit të tij Ismailit është rruga e ndjekur nga i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi a.s., i cili e përtëriu dhe vazhdoi misionin e tyre. Në këto ditë feste të Kurban Bajramit besimtarët në praktikë dëshmojnë besimin e tyre, duke ndarë nga pasuria tyre për të bërë kurban si një përkushtim ndaj Krijuesit, si një simbolikë e gatishmërisë së Ibrahimit a.s. për të flijuar birin e tij Ismailin, për të çuar në vend premtimin e dhënë Allahut Fuqiplotë, veprim ky i cili përfundoi me ndihmën e Zotit duke dërguar një kafshë për ta prerë, në vend të Ismailit a.s.”, thotë Fetahu.

Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Gjatë kësaj feste urime kanë dërguar krerët e institucioneve shtetërore, njerëzit e jetës politike, akademike, e artistike në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e Kurban Bajramit. Shëndet e gjitha të mirat!