Reis Fetahu në porosinë e Kurban Bajramit: Ndihma e Zotit vjen kur njeriu mobilizon të gjitha potencialet e tij fiziko-shpirtërore

Reisi i Bashkësisë Fetare Islame reius ulema hafiz Shaqir efendi Fetahu në mesazhin e tij për festën e Kurban Bajramit, theksoi se në radhë të parë kjo festë ndërlidhet me kryerjen e Kushtit të pestë të Islamit – Haxhin.

“Dje dhe mbrëmë, miliona haxhinjë kryen dispozitat e haxhit: qëndruan në Arefat dhe në Muzdelife. Sot, ata janë në Mina, vend dhe ditë në të cilin Ibrahimi, alejhi selam, ka prerë kurban. Kjo festë na e përkujton se pavarësisht nga dallimet tona, të gjithë ne jemi, krijesa të një Krijuesi. Të gjithë jemi të një babe dhe një nëne. Sot edhe më tepër ne kemi nevojë për besim të sinqertë dhe të pastër në Gjithëmëshirshmin, i cili do të na bashkojë rreth një origjine dhe kuptimi të përbashkët të shoqërisë njerëzore. Kjo festë na nxit neve, që në veprimet tona, përparësi t`i japim bashkëpunimit me njëri-tjetrin dhe zgjidhjes së sfidave që i sjell koha. Ditët e Haxhit dhe Bajramit, po ashtu na e përkujtojnë rrugën e jetës së Ibrahimit a.s. i cili është shembull i sakrificës njerëzore dhe i besimit te Allahu i Mëshirshëm”, shkruan Fetahu.

Përmes shembullit të tij, thotë i pari i BFI-së, i Lartëmadhëruari na tregon vlerën e jetës njerëzore dhe kuptimin e sakrificës njerëzore.

“Ibrahimi na mësoi se jeta njerëzore është e vlefshme vetëm kur i përkushtohet Zotit dhe vlerave më të larta shoqërore. Rruga e jetës së Ibrahimit dhe djalit të tij Ismailit është rruga e ndjekur nga i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi a.s., i cili e përtëriu dhe vazhdoi misionin e tyre. Në këto ditë feste të Kurban Bajramit besimtarët në praktikë dëshmojnë besimin e tyre, duke ndarë nga pasuria tyre për të bërë kurban si një përkushtim ndaj Krijuesit, si një simbolikë e gatishmërisë së Ibrahimit a.s. për të flijuar birin e tij Ismailin, për të çuar në vend premtimin e dhënë Allahut Fuqiplotë, veprim ky i cili përfundoi me ndihmën e Zotit duke dërguar një kafshë për ta prerë, në vend të Ismailit a.s.”, thotë Fetahu.

Ky akt, thuhet në kumtesë, ia bëri me dije njerëzimit se ndihma e Zotit vjen atëherë kur njeriu mobilizon të gjitha potencialet e tij fiziko – shpirtërore për të flijuar më të dashurën dhe më të shtrenjtën e jetës për Krijuesin.

“T`i përkushtohesh Zotit me gjithçka që ke do të thotë të kesh vetëdije të lartë mbi ndryshimin e botës drejt ngritjes së njeriut, vlerës më të madhe që krijoi Zoti. Njeriu është krijesa më e shtrenjtë, ndërsa angazhimi në shërbim të njerëzve, e sidomos të atyre në nevojë është vlera më e madhe e njeriut dhe jetës së tij. Andaj, kjo festë është rezultat i gëzimit për formimin e një ambienti të flijimit të më të shtrenjtës nga e cila buron dashuria ndaj Zotit, për kushtimin ndaj solidarizimit, humanitetit, moralit, paqes dhe dinjitetit”, thotë Fetahu.

Të kryesh urdhrin e Zotit duke prerë kurban, thotë Fetahu, do të thotë përgatitje e lartë për t’u vënë në shërbim për tjetrin për një jetë pa keqpërdorime, manipulime, korrupsion, amoralitet, destruktivitet dhe për të qenë person dinjitoz për të bartë amanetin e shenjtë në familje dhe shoqëri me përgjegjësi dhe sakrificë të mundit, dijes dhe nderit, m’u ashtu si gatishmëria e Ibrahimit a.s. për të flijuar më të dhimbshmen dhe më të dashurën, birin e tij Ismailin, e Ismaili për të flijuar jetën e tij, vetëm për një qëllim, realizimi i idealit hyjnorë që lëviz rrjedhat e të së mirës dhe mirëqenies gjatë jetës së njeriut.

“Të flijosh në ditët e sodit, nënkupton që tërë kapaciteti dhe angazhimi jonë si shoqëri duhet të orientohet në gjetjen e mundësive për ndaljen e migracionit dhe parandalimin e largimit të kuadrove të reja nga të gjitha sferat e jetës. Kjo plagë e kamotshme mund të ndërpritet vetëm duke krijuar kushte dhe mundësi ku rinia ta gjejë perspektivën e vetë në këtë nënqiell. Por mbi të gjitha, mbrojtja e vlerave tradicionale familjare si në strukturë ashtu edhe në moral është bërthama e shoqërisë së shëndoshë”, shkruan Fetahu.

Ndryshe, namazi i Kurban Bajramit falet të mërkurën më 28 qershor 2023, në orën 05:41, ndërsa namazi i sabahut në ora 04:25. Manifestimi qendror për territorin e Maqedonisë, mbahet në “Xhaminë e Mustafa Pashës” në Shkup.