Në Probishtip filloi procedura për sanimin e hidrodeponisë si një nga pikat e nxehta ekologjike

Këshilli i Komunës së Probishtipit filloi procedurën, e cila në fazën e parë parashikon sanimin e hidrodeponisë të vjetër që ndodhet në afërsi të qytetit dhe që është një nga pikat e nxehta ekologjike në vend, njofton portali SDK.mk. Nga Komuna e Probishtipit njoftojnë se po vijojnë ndryshimet e Planit të Përgjithshëm Urbanistik të këtij qyteti, si dhe të dy planeve urbanistikë të detajuar që kanë të bëjnë me hidrodeponinë, e që duhet të përfundojnë deri në fund të nëntorit të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Pas përfundimit të ndryshimit të dokumentacionit urban, do të fillohet me sanimin e hidrodeponisë së vjetër. Në fazën e dytë është planifikuar që në atë vend të ndërtohet një termocentral fotovoltaik në një sipërfaqe prej disa hektarësh, i cili do të përdorë diellin si burim energjie të rinovueshme për prodhimin e energjisë elektrike.

Dy muaj më parë Meta.mk publikoi një tekst të gjerë për problemin me hidrodeponinë e vjetër në Probishtip, në të cilën janë depozituar rreth 12 milionë tonë mbeturina me metale të rënda, gjegjësisht rreth 6 milionë metër kub plot me plumb, kadmium, zink, merkur, hekur, bakër, arsen, uranium dhe kemikalie të ndryshme të rrezikshme. Kjo pikë e nxehtë ekologjike ndodhet në vetë qytetin, ndërsa premtimi i Komunës është se do të kërkohet një investitor privat i cili do të investonte në sanimin e hidrodeponisë së vjetër, pas çka në këtë lokacion do të ndërtohej një central fotovoltaik.

Sipas projektit bazë të hartuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2010, për rehabilitimin e hidrodeponisë së vjetër nevojiten rreth 4.2 milionë euro. Me këto mjete do të bëhej remediimi i nevojshëm, gjegjësisht zbatimi i masave për sanimin e shpateve të deponisë, mbulimi i deponisë me një shtresë dheu dhe mbjellja e vegjetacionit për të parandaluar shfaqjen e pluhurit.

Përndryshe, hidrodeponia e vjetër në Probishtip për momentin nuk është plotësisht e rrethuar, gjë që mundëson hyrjen e kafshëve dhe njerëzve në këtë lokacion. Pasoja të tmerrshme sjell edhe era, e cila në varësi të drejtimit të saj shpërndan pluhur me metale të rënda drejt qytetit apo vendbanimeve të tjera. Gjatë reshjeve të shiut uji nga kodra e deponisë derdhet direkt në lumin Kiseliçka dhe ndot ujërat e lumit, sepse ky lumë kalon mu pranë vetë hidrodeponisë.

Përmes një projekti të Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim nga Japonia me Qeverinë e Maqedonisë që është realizuar në vitin 2008, janë bërë analiza të tokës, ujërave nëntokësore dhe të lumenjve, si dhe e kulturave bujqësore që kultivohen për prani të metaleve të rënda. Që atëkohë është konstatuar se deponia ka pasoja të rënda ndaj mjedisit, pra është vërtetuar shkencërisht se toka, uji, madje edhe kulturat bujqësore që kultivohen janë të ndotura me disa prej metaleve të rënda që ndodhen në këtë pikë të nxehtë ekologjike.