Banorët e Probishtipit tashmë disa dekada jetojnë me metale të rënda toksike para shtëpive të tyre

Plumb, kadmium, zink, zhivë, hekur, bakër, arsen, uranium dhe kimikalie si sulfati i bakrit, cianidi i natriumit, amil ksantati i kaliumit, oksidi i kalciumit dhe karbonat kalciumi janë vetëm një pjesë e përbërësve të rrezikshëm që i përmban hidrodeponia e vjetër e vendosur në Probishtip, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Metalet e rënda që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut gjenden në vetë qytetin, në vijë ajrore vetëm disa qindra metra larg tregut të qytetit dhe në afërsi të shumë objekteve, përfshirë këtu edhe shtëpive të banorëve.

Në këtë qytet ndodhet një nga vatrat më të nxehta ekologjike në Maqedoni, e cila është krijuar si rezultat i funksionimit dhjetëvjeçar të minierës së plumbit dhe zinkut “Zletovo”. Në hidrodeponinë e vjetër të kësaj miniere janë depozituar rreth 12 milionë tonë mbeturina, që është e barabartë me rreth 6 milionë metër kub plot me metale të rënda. Banorët e Probishtipit tashmë për dekada me radhë jetojnë me substancat e rrezikshme në oborret e tyre, ndërsa gjendja është më e keqe kur fryn erë dhe e bart pluhurin nga deponia drejt qytetit, apo drejt vendbanimeve në jug të Probishtipit.

Është vërtetuar prania e helmeve në ujë, tokë dhe kultura bujqësore

Meta.mk vizitoi hidrodeponinë e vjetër në Probishtip, ku mund të hyjë çdo njeri, qoftë i ftuar apo i paftuar. Vetë lokacioni ku shtrihet deponia e mbeturinave nuk është i rrethuar. Kur vizituam deponinë, vumë re me dhjetëra dhi që kullosnin nga bimët që kishin mbirë në vetë deponinë.

Pika e nxehtë ekologjike në Probishtip, foto: Meta.mk
Kafshë shtëpiake që kullosin bimët që rriten në deponi; Foto: Meta.mk

Krahas problemit me erën që shpërndan pluhurin me metale të rënda, ajo që vihet re është se në kodrën me mbeturina me metale nga reshjet krijohen brazda, të cilat ujin e ndotur e çojnë direkt e në lumin Kiseliçka, që kalon mu pranë deponisë. Edhe sot e kësaj dite banorët e Probishtipit nuk mund ta harrojnë vitin fatal 1976, kur gjatë një aksidenti erdhi deri te plasja e digës së deponisë me ç’rast u derdhën 150.000 metra kub metale toksike në lumenjtë Kiseliçka dhe Zletovska.

Përmes një projekti të Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim nga Japonia me Qeverinë e Maqedonisë, i cili është realizuar në vitin 2008, është bërë analizë e tokës, ujërave nëntokësore dhe lumenjve, si dhe analiza për prani të metaleve në kulturat bujqësore që kultivohen në atë zonë. Që atëkohë është konstatuar se deponia ka pasoja të rënda ndaj mjedisit jetësor.

Deponia me metale të rënda në Probishtip; Foto: Meta.mk
Deponia me metale të rënda në Probishtip; Foto: Meta.mk

bakrit dhe magnezit në tokat që ndodhen përgjatë lumit Kiseliçka dhe rrjedhës së poshtme të lumit Zletovska. Me ndihmën e japonezëve janë marrë mostra nga uji i puseve dhe burimeve në 29 fshatra të rajonit, me ç’rast janë konstatuar përqendrime të arsenit, kobaltit, nikelit dhe plumbit më të larta se Standardi kombëtar për ujin e pijshëm. Edhe në mostrat e analizuara të ujit të lumenjve janë zbuluar përqendrime të nikelit, plumbit dhe magnezit më të larta se Standardi për cilësinë e ujit.

“Zona me përqendrime të larta janë gjetur në pjesët e banuara të Probishtipit, deponitë, përgjatë lumit Kiseliçka dhe në rrjedhën e poshtme përgjatë rrjedhës së lumit Zletovska. Shihen qartë gjurmët e derdhjes së mbeturinave përgjatë fushave me përqendrime të larta”, thuhet në „Studimin për zhvillimin e kapaciteteve për menaxhimin me tokat e kontaminuara si pasojë e xehetarisë në Republikën e Maqedonisë; Raporti përfundimtar, Vëllimi VI, Përmbledhje e shkurtër“.

Në këtë dokument, i cili ka qenë si rezultat i hulumtimit të kryer me ndihmën e japonezëve, është konstatuar se zona me përqendrime të larta të arsenit toksik shfaqen edhe në zonat e banuara të Probishtipit, si dhe në deponitë.

Njëkohësisht, analizat e kryera të kulturave bujqësore që janë kultivuar në vitin 2006 dhe 2007 kanë treguar se përqendrimet e plumbit në grurë e kanë tejkaluar standardin e Maqedonisë në 36 përqind të mostrave për vitin 2006 dhe 22 përqind të mostrave për vitin 2007, thuhet në këtë dokument.

Nga hulumtimet e detajuara me ndihmën e japonezëve deri më sot ka kaluar më shumë se një dekadë e gjysmë, por për sanimin e deponisë dhe pastrimin e zonës nga metalet e rënda, me çka do të mbrohet shëndeti i banorëve të Probishtipit dhe fshatrave përreth është bërë shumë pak. Gjatë vizitës që bëmë në këtë deponi, vumë re se në një pjesë më të vogël janë ndërtuar ndërtesa industriale dhe një përçues i energjisë elektrike, të cilat ishin ndërtuar duke e mbuluar këtë pjesë të deponisë.

Komuna hesht, ministria e painformuar 

Komuna e Probishtipit në shkurt të këtij viti e publikoi  lajmin se planifikojnë sanimin e deponisë së vjetër, për çka kanë përgatitur dokumentacion të projektit dhe janë filluar procedurat për urbanizim, që do të mundësonin vendosjen e një centrali fotovoltaik në hapësirën e kësaj deponie. Autoritetet lokale njoftuan se punimet për sanimin e kësaj zone do të fillonin në pranverë, por gjatë vizitës që bëmë në këtë lokacion në fillim të qershorit nuk vumë re asnjë aktivitet në terren.

Për të marrë sqarime për projektin që planifikojnë ta realizojnë, Meta.mk gjatë muajit maj dhe qershor disa herë tentoi të kontaktojë me Komunën e Probishtipit. Pesë herë i dërguam  pyetjet tona me e-mail, ndërsa disa herë biseduam në telefon me përgjegjësit për marrëdhënie me publikun në komunë, por pavarësisht premtimeve se do të përgjigjen, deri në përfundimin e këtij teksti nuk morëm informacione më të detajuara për atë se si do të sanohet hidrodeponia e vjetër në Probishtip.

Për dallim nga autoritetet komunale, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk thonë se nuk janë të informuar për njoftimin e Komunës së Probishtipit për zgjidhjen e problemit me deponinë e vjetër përmes sanimit të terrenit dhe ndërtimit të centraleve fotovoltaike.

Flotacioni i metaleve të rënda në Probishtip për momentin po derdhet në një deponi të re dhe transportohet nëpërmjet një kanali të hapur; Foto: Meta.mk
Flotacioni i metaleve të rënda në Probishtip për momentin po derdhet në një deponi të re dhe transportohet nëpërmjet një kanali të hapur; Foto: Meta.mk

Nga Ministria i citojnë nenet nga Ligji për Mjedisin Jetësor, ku thuhet se pronari i zonës duhet të përgatisë një Plan për menaxhimin e zonës së kontaminuar, të cilin duhet ta dorëzojë për miratim pranë organit kompetent të administratës shtetërore.

“Për zonat e kontaminuara në pronësi të shtetit, për përgatitjen e planit, Qeveria mund të angazhojë një person juridik vendas ose të huaj ose t’ia besojë një institucioni shkencor vendas ose të huaj i cili i plotëson kushtet e këtij neni, në përputhje me rregulloren për prokurim publik. Në rastin konkret dhe duke pasur parasysh synimin e komunës së Probishtipit për shfrytëzimin e tokës për centrale fotovoltaike, ky është detyrim i tyre. Natyrisht që ministria e përkrah komunën sa i përket sanimit, por ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë”, sqarojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga atje shtojnë se sipas informacioneve që kanë marrë nga Ministria e Ekonomisë, është përgatitur një studim fizibiliteti për arsyetimin e dhënies me koncesion për lëndët e para minerale, por në thirrjen e fundit publike të publikuar për dhënien e koncesioneve për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale nga deponia nuk ka pasur asnjë investitor të interesuar.

Megjithatë, krahas opsionit për eksploatimin e metaleve të rënda nga një koncesionar i mundshëm dhe eksportit të tyre jashtë vendit, mundësia e dytë që e kanë në dispozicion autoritetet lokale është mbulimi i deponisë me dhe. Por, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor janë decid se të gjitha aktivitetet për sanim duhet të zhvillohen në përputhje me planin për menaxhimin e zonës së kontaminuar, me një kornizë kohore të përcaktuar saktë.

Deponia me metale të rënda në Probishtip
Deponia me metale të rënda në Probishtip

Në lidhje me gjendjen alarmante në të cilën gjendet deponia e vjetër në Probishtip Meta.mk kontaktoi edhe me Inspektoratin Shtetëror për Inspektim Teknik. Pyetëm nëse deri më tani kanë bërë një inspektim të hidrodeponisë së vjetër në Probishtip, kur është bërë inspektimi i fundit, cilat janë konkluzionet e inspektorëve të tyre për këtë pikë të nxehtë ekologjike dhe çfarë masash janë caktuar për ta parandaluar ndotjen e mëtejshme nga deponia.

Nga Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik thonë se nuk kanë bërë inspektim të deponisë së vjetër në minierën “Zletovo”, pasi sipas Ligjit për Lëndë të Para Minerale nuk kanë kompetencë të veprojnë tek objektet dhe instalimet tashmë të përfunduara.

“Sipas Ligjit për Lëndë të Para Minerale, të gjitha dispozitat që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor  janë nën juridiksionin e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor”, bëjnë të ditur nga Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik.

Meta.mk kontaktoi edhe me Inspektoratin Shtetëror për Mjedisin Jetësor, nga ku morëm vetëm informacione të detajuara për sasitë e mbetjeve të depozituara në deponinë e vjetër në Probishtip dhe metalet e rënda të depozituara në të.

Banorët kërkojnë shpëtimin nga helmet në qytetin e tyre

E mërkura është ditë kur në Probishtip bëhet Pazar dhe tregu i qytetit është i mbushur me njerëz që blejnë dhe shesin fruta, perime, rroba dhe produkte të tjera. Bisedën mes banorëve në këtë qytet të vogël të Maqedonisë Lindore e ndërpremë me pyetjet tona për ndikimin e dëmshëm të deponisë, e cila ndodhet mu përballë tregut.

U përpoqëm të intervistonim rreth 20 qytetarë të Probishtipit, por vetëm dy pranuan të flasin para kamerës për problemin e qytetit të tyre. Kur larguam kamerën, shumica e qytetarëve u përgjigjën se janë të vetëdijshëm për problemet shëndetësore që mund të lindin nga deponia dhe rreziqet ndaj mjedisit jetësor.

Një nga të paktët që pranoi të flasë publikisht është Stojançe Stoillov, i cili për 30 vjet ka punuar në flotacion në minierën e plumbit dhe zinkut në “Zletovo”. Ai thotë se sanimi i deponisë mund të bëhet duke e mbuluar me një shtresë tokë të pastër, duke shtuar se ideja e Komunës së Probishtipit që deponinë ta tamponojë dhe ta përdorë për një qëllim tjetër është e mirë.

“Ndikimi i dëmshëm nuk ndihet, si ta ndiejmë ne. Ju e dini që radioaktiviteti nuk ndihet. Do të ndihet në fund”, thotë Stoillov.

Ai shton se kur fryn era e bart pluhurin nga deponia dhe kështu ndotet toka, edhe pse ka tokë bujqësore të punueshme.

“Në të kaluarën në këtë pjesë e ndjeje pluhurin përgjatë lumit, por tani jo. Ka më pak, sepse është ngurtësuar nga reshjet, deponitë janë ngurtësuar nga vetë kimikalet, kështu që tani ka më pak pluhur”, shton Stoillov.

Bashkëqytetari i tij Zoran Kuzmanov thotë se ideja e komunës për sanimin e deponisë dhe ndërtimin e një centrali fotovoltaik në vend është e shkëlqyer, sepse qyteti ka problem me këtë pikë të nxehtë ekologjike.

“Ideja është e shkëlqyer. Është me të vërtetë një vatër për sëmundje. Thjesht, pluhuri i plumbit është diçka shumë e keqe për çdo organizëm, – u përgjigj Kuzmanov.

Ai shton se kanë problem me deponinë, sepse ajo ndodhet shumë afër qytetit, ndërsa varësisht se nga fryn era i shpërndan lëndët e para të depozituara ose në drejtim të Probishtipit ose në drejtim të fshatrave të tjera.

Shëndeti i Probishtipit “kushton” 4.2 milionë euro

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informojnë për Meta.mk se në vitin 2010 kanë përgatitur një projekt bazë për sanimin e deponisë në Probishtip, i cili përfshin zbatimin e masave për stabilizimin e shpateve të deponisë, mbulimin e deponisë me një shtresë dheu dhe mbjelljen e vegjetacionit për të parandaluar përhapjen e pluhurit.

Pika e nxehtë ekologjike në Probishtip, foto: Meta.mk
Objekte të cilat janë ndërtuar në një pjesë të deponisë në Probishtip; Foto: Meta.mk

“Sipas indikatorëve financiarë të projektit, për sanimin e deponisë nevojiten rreth 4.2 milionë euro për kryerjen e punëve të planifikuara për remediim”, sqarojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Megjithatë, në kuadër të këtij projekti nuk do të përfshihej edhe opsioni i nxjerrjes së mbeturinave të depozituara dhe eksportimi i tyre jashtë vendit apo përpunimi i mundshëm i tyre.

Në studimin e përgatitur, i cili duhet të mundësojë rikultivimin e deponisë, thuhet se sipërfaqja e deponisë duhet të mbulohet me mbrojtje ekologjike për ta parandaluar përhapjen e pluhurit, ndërsa ujërat e zeza nga vetë deponia të pastrohen. Propozohet koncepti i rekultivimit biologjik të terrenit me pyllëzim.

Edhe krahas gjithë studimeve, testimeve dhe projekteve bazë, për deponinë në Probishtip deri më sot nuk është zgjedhur asnjë zgjidhje konkrete që do të zbatohet praktikisht në terren. Banorët çdo ditë janë nën rrezik nga substancat toksike, ndërsa me ndotjen e mjedisit jetësor dhe prodhimeve potenciale bujqësore që sigurohen nga ky rajon, problemi i ndotjes kalon përtej kufijve të Probishtipit.

Disklejmeri për Smart Balkans, disclaimer