Në prag të 1 Shtatorit “luftë” për (mos) miratimin e programeve të shkollave në Tetovë (Video)
Një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, Komuna e Tetovës i tërhoqi nga rendi i ditës i seancës së sotme të Këshillit Komunal pikat për miratimin e programeve dhe raporteve vjetore të shkollave fillore. Shkak për këtë është se programet e disa shkollave nuk janë miratuar ende nga këshillat e tyre shkollorë. BDI akuzoi për shkelje ligjore, ndërsa nga komuna thonë se është vetëm procedurë administrative, shkruan Portalb.mk
Sektori për Veprimtari Publike i Komunës së Tetovës kërkoi që pikat për miratimin e programeve dhe raporteve vjetore të shkollave fillore të tërhiqen nga rendi i ditës, pasi, siç u sqarua, jo të gjitha shkollat i kanë dorëzuar programet e tyre.
Çështja shkaktoi përplasje në seancën e Këshillit Komunal. Këshilltari i AKI-së, Berat Murati, akuzoi komunën për shkelje ligjore dhe kërkoi përgjegjësi.
“Sektori për Arsim i Komunës së Tetovës dorëzoi shkresë dhe thirret se afati për programet e shkollave fillore dhe të mesme është deri më 31 gusht, ndërsa themeluesi duhet t’i miratojë deri më 30 shtator. Kjo është shkelje ligjore, pasi ky afat vlen për shkollat e mesme”, tha Murati.
Sipas tij, për shkollat fillore afatet janë të tjera dhe programet duhej të ishin dorëzuar më herët.
“Për shkollat fillore afati kur këshillat e shkollave dhe drejtorët duhet t’i dorëzojnë është deri më 15 gusht dhe miratimi u desh sot të bëhej. Këta e kanë tërhequr pikën, kjo shkresë është skandaloze. Prandaj kërkoj përgjegjësi ligjore”, deklaroi Murati.
Por nga Komuna e Tetovës mohojnë se bëhet fjalë për shkelje ligjore nga ana e tyre.
Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Komunale, tha se situata është krijuar për shkak se disa këshilla shkollorë nuk i kanë dorëzuar programet e tyre.
“Nuk ka të bëjë me Sektorin apo Komunën e Tetovës, ashtu siç u potencua nga këshilltari”, tha Dauti.
Ai sqaroi se shkollat kanë qenë në pushim kolektiv deri më 17 gusht, ndërsa, sipas tij, ligji përcakton se çfarë ndodh në rast se themeluesi nuk i miraton programet brenda afatit.
“Ligji është shumë i qartë. Në qoftë se shkollat dorëzojnë programet e tyre deri në afatin e paraparë ligjor, ndërsa themeluesi të njëjtat nuk i miraton, ato programe llogariten të miratuara”, deklaroi Dauti.
Megjithatë, problemi në rastin e Tetovës, sipas tij, është se disa këshilla të shkollave ende nuk i kanë dorëzuar programet, për çka iu drejtuan Këshillit Komunal me kërkesë për tërheqjen e pikave nga rendi i ditës.
Dauti tha gjithashtu se, sipas Ligjit për Arsimin Fillor, shkollat kanë mundësi që deri më 15 shtator t’i dorëzojnë programet e tyre në Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, ndërsa ato duhet të publikohen edhe në ueb-faqet e shkollave.
Kjo nënkupton se, sipas interpretimit të komunës, edhe nëse Këshilli Komunal nuk i miraton programet, ato konsiderohen të miratuara.
Çështja vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm, pasi nesër nis viti i ri shkollor në mbarë vendin.