Në mbarë botën sot festohet Dita Botërore e Artit, Rexhepi: Në RMV kjo ditë shënohet me statuse në rrjetet sociale

Sot shënohet 15 prilli Dita Botërore e Artit, kjo ditë synon të promovojë zhvillimin dhe kënaqësinë e artit në mbarë botën, shkruan Portalb.mk.

Qëllimi i kësaj dite është të lehtësojë zhvillimin e qëndrueshëm të artit. Me mbështetje të mjaftueshme, artistët mund të vazhdojnë të portretizojnë bukurinë e cila na rrethon.

Piktori Xhezair Rexhepi për Portalb tha se në vendin tonë kjo ditë nuk festohet ashtu siç duhet. Nuk ka organizime publike, manifestime, as konferenca apo diskutime mbi artin.

“Në vendin tonë, Dita Ndërkombëtare e Artit nuk festohet siç duhet. Zakonisht, ajo shënohet vetëm me ndonjë status në rrjetet sociale nga artistët ose dashamirësit e artit. Nuk ka organizime publike, manifestime, as konferenca apo diskutime mbi artin. Edhe nëse ka aktivitete, shpesh janë shkollat dhe nxënësit që organizojnë ndonjë ekspozitë, por edhe ato kalojnë pa u vënë re. Kjo ditë kalon si çdo ditë tjetër, në një vend që është në tranzicion dhe ku shumë gjëra të bukura kalojnë pa u vënë re, pa marrë vëmendjen që meritojnë-dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Arti duhet të vlerësohet dhe të mbështetet, jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime konkrete nga institucionet publike dhe nga komuniteti në përgjithësi”, tha Rexhepi.

Fotografi nga disa piktura të ekspozuara në qytet. Foto:Portalb.mk
Fotografi nga disa piktura të ekspozuara në qytet. Foto:Portalb.mk

Rexhepi gjithashtu tha se arti është përpjekja për të sjellë jetë aty ku nuk ka frymë-për ta bërë gurin të ndjejë, drurin të marrë formë, dhe ngjyrën të flasë

“Arti është fryma që merr formë. Ai nuk është thjesht pasqyrim i realitetit, por një mënyrë për të parë botën me sy më të thellë, më të ndjeshëm, më njerëzor. Në art, çdo vijë, çdo dritë apo hije ka një kuptim. Ato flasin pa fjalë, përçojnë ndjenja që prekin shpirtin. Arti është kujtesë, rrëfim, ëndërr dhe ndjenjë, është ajo që mbetet edhe kur gjithçka tjetër harrohet. Skulptura, si forma që unë e jetoj më së shumti, është një përballje e heshtur mes njeriut dhe materies. Është përpjekja për të sjellë jetë aty ku nuk ka frymë-për ta bërë gurin të ndjejë, drurin të marrë formë, dhe ngjyrën të flasë”, tha Rexhepi.

Ai mes tjerash tha se mbështetja institucionale është e vogël, hapësirat për ekspozim janë të pakta, dhe arti shpesh shihet si diçka dytësore-jo si një pjesë thelbësore e jetës dhe shoqërisë.

“Por sot, arti edhe pse më i pranishëm se kurrë-shpesh jeton në kufijtë e mosvëmendjes. Po, rrjetet sociale e kanë dhënë mundësinë që artisti të shihet nga sy të panjohur në mbarë botën. Po, galeritë virtuale, platformat digjitale, madje edhe teknologjitë e reja, kanë krijuar hapësira që dikur nuk ekzistonin. Megjithatë, thellësia e veprës së vërtetë shpesh humbet mes shpejtësisë së konsumit vizual. Një vepër që merr muaj të tërë për t’u krijuar, shpesh vlerësohet me një “like” që zgjat më pak se një sekondë dhe kjo është zhgënjyese. Arti kërkon kohë, vështrim të gjatë, përjetim të qetë-gjë që kjo sot është luks”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se, artistët, sidomos ata që punojnë me dorë, me përkushtim dhe durim, shpesh mbeten jashtë vëmendjes që meritojnë.

“Të blejmë vepra, të vizitojmë ekspozita, të flasim për artin me dashuri dhe respekt. Sepse pa art, bota do ishte shumë më e ftohtë. Arti na kujton se jemi më shumë se vetëm trup-jemi ndjenjë, kujtesë, jetë. Dhe artisti është ai që ia jep formë kësaj”, tha Rexhepi.

Fotografi nga disa piktura të ekspozuara në Qendrën East Gate. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga disa piktura të ekspozuara në Qendrën East Gate. Foto: Portalb.mk

Rexhepi foli edhe për historikun dhe rëndësinë e 15 prillit Ditës Botërore të Artit.

“Dita Ndërkombëtare e Artit u shpall për herë të parë në vitin 2012 nga Shoqata Ndërkombëtare e Artit (IAA-International Association of Art), gjatë një asambleje në Guadalajara, Meksikë. Kjo ditë kremtohet çdo vit më 15 prill, në nder të Leonardo da Vinçit, një nga figurat më të mëdha të historisë së artit dhe dijes. Kjo ditë mbështetet nga UNESCO, në partneritet me IAA, dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e artit dhe të forcojë lidhjet midis krijimtarisë artistike dhe zhvillimit kulturor e shoqëror”, tha Rexhepi.

Me rastin e 15 Prillit-Ditës Botërore të Artit, Qendra për Kulturë-Gostivar organizon Koloni Multietnike, një aktivitet festiv dhe edukativ ku nxënësit e shkollave të mesme janë në qendër të vëmendjes si ambasadorë të kulturës, artit dhe bashkëjetesës.