Në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më pak media lokale
Mediat lokale në Maqedoninë e Veriut janë në rrezik serioz nga zhdukja e plotë. Në rajonin e Pellagonisë, i cili në të kaluarën konsiderohej qendra më e madhe mediatike pas Shkupit, sot ekziston vetëm një televizion – televizioni i Manastirit TERA, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.
Stevo Bashurovski tashmë plot 28 vite është gazetar në televizionin TERA. E pyetëm se me çfarë sfidash po përballet ky televizion:
“Sfidë është lufta kundër dezinformatave, pra në radhë të parë roli ynë është të jemi shërbim për publikun, të informojmë për të, për gjithçka që është e rëndësishme e që publiku duhet ta dëgjojë. Sfidë është edhe beteja me informatat e rreme… sidomos në rrjetet sociale. Atë që dikush e bën atje, ne nuk mund ta bëjmë sepse jemi subjekt i një rregullimit ligjor. Nëse interneti dhe rrjetet sociale nuk rregullohen në ndonjë mënyrë, ne si televizion, pra si transmetues, jemi të rregulluar dhe duhet të veprojmë në përputhje me parimet e gazetarisë, por edhe në përputhje me normat etike dhe morale”, thotë gazetari në televizionin TERA, Stevo Bashurovski.
Rregullimi i mediave lokale është sfidë e madhe për kryeredaktorin e radios lokale të Manastirit 106-ka, Millan Rizvanoviq.
“Që në fillim, që nga vetë rregullimi, mediat lokale sikur janë të mallkuara. Pse? Sepse ju jeni të dënuar që të veproni vetëm për një treg. Pra, në një kohë kur ne po jetojmë në një fshat global, themi se bota është një fshat global, ju duhet të veproni vetëm në tregun e qytetit tuaj. Nëse ne jemi të kufizuar vetëm në një treg lokal, në rastin tonë vetëm në Manastir, ne jeni të kufizuar edhe në rritje. Nëse je i kufizuar sa i përket veprimit në një treg më të madh, atëherë pjesa krijuese e punës automatikisht kufizohet, domethënë, je i kufizuar në numrin e njerëzve që mund të punësosh për ta bërë programin”, thotë Millan Rizvanoviq, kryeredaktor i Radio 106 nga Manastiri.
Në Prilep funksionojnë tre radio stacione lokale, disa ueb portale dhe një gazetë lokale. Gazetarja nga Radio Pella, Gordana Cvetanoska, për Zërin e Amerikës thotë se problemi më i madh për mediat lokale janë financat.
“Në këtë kohë është jashtëzakonisht e vështirë të mbijetosh sepse në një media tradicionale lokale, nëse flasim për radion, duhet të ketë të paktën dy punonjës me kohë të plotë dhe praktikisht shpenzimet më të mëdha janë edhe për punonjësit. Por pa to, pa gazetarë dhe teknikë, një media lokale nuk mund të (mbijetojë)”, tha Gordana Cvetanoska, gazetare në radio Pella në Prilep.
Të gjitha këto arsye ndikojnë në jotraktivitetin e profesionit të gazetarisë për të rinjtë. Cvetanoska thotë se gazetarja më e re në Prilep është 36 vjeç.
“Për shkak se mediat lokale nuk mund të përballojnë fuqi punëtore shtesë, por nga ana tjetër, nuk ka interes sepse e dinë që gazetarët nuk paguhen, ndërsa të gjithë duan të jenë gazetarë, sepse me rrjetet sociale, praktikisht të gjithë qytetarët mendojnë se mund të bëhen gazetarë. Nuk ka aspak interes për angazhim në mediat lokale. Shpresoj që pas njoftimit se është e mundur që shteti t’i mbështesë mediat lokale me masa të caktuara, të arrijmë t’i tërheqim në një farë mënyre të rinjtë, sepse edhe nëpërmjet të sindikatës së gazetarëve, … pyetëm nëse mund të ketë ndonjë masë të caktuar që nëse një media punëson një gazetar të ri, shteti të mund të mbulojë së paku një pjesë të shpenzimeve dhe në këtë mënyrë pak nga pak mund ta zbusim këtë problem”, shton gazetarja Gordana Cvetanoska.
Nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik për Zërin e Amerikës thanë se ata që nga viti i kaluar kanë punuar për një paketë më të madhe ndryshimesh të mundshme në ligjet e lidhura me median që përfshijnë lirimin nga tatimet dhe kontributet për punonjësit mediatik, gjë që do të mundësonte një rritje të pagave të tyre dhe siguri më të madhe sociale dhe ekonomike.
Gazetari Bashurovski, nga ana tjetër, nuk është shumë optimist se një gjë e këtillë do ta ndryshojë trendin.
“Nëse je gazetar, je gazetar 24/7 si të thuash dhe nuk je gazetar nga ora shtatë deri në tre e pastaj të jesh i lirë, pa të kërkuar njeri në celular. Mendoj se ata që e duan vërtet gazetarinë, duan të informojnë, duan të zbulojnë gjëra, duan t’i tregojnë publikut gjithçka…, sepse gazetaria nuk është të thuash se sot në Manastir ka rënë borë, , këtë e shohim që të gjithë. Duhet bërë diçka tjetër”, thotë gazetari Stevo Bashurovski.
Sipas regjistrit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA), në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë 14 stacione televizive rajonale dhe 14 lokale. Numri mesatar i punonjësve me kohë të plotë në të gjitha televizionet rajonale së bashku ka qenë 79 persona, tregon analiza e Agjencisë për Tregun e Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizuele për vitin 2023. Tetë prej stacioneve televizive e kanë ulur numrin e punonjësve në krahasim me vitin 2022 dhe vetëm një televizion e ka rritur atë me vetëm një punonjës. Në vitin 2022 janë punësuar gjithsej 36 persona në televizionet lokale, ndërsa në vitin 2023 ky numër është rritur për 10, pra 46 punonjës. Në Maqedoninë e Veriut ka 15 radio stacione rajonale dhe 38 lokale. Numri mesatar i punonjësve në radiostacionet rajonale në vitin 2023 ka qenë 62 persona, që është 14 punonjës më shumë krahasuar me vitin 2022. Në radiostacionet lokale në vitin 2023 kanë punuar 70 punonjës me status të punonjësve të rregullt.