Në Maqedoninë e Veriut 12 lindje u realizuan nga nënat nën moshën 15 vjeç

Nëna nën moshën 15 vjeç kanë realizuar 12 lindje në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024. Në këtë periudhë janë regjistruar 16 153 lindje në krejt vendin, transmeton Portalb.mk.

“Në vitin 2024 kanë lindur gjithsej 16 153 fëmijë, nga të cilët 16 061 ishin lindje të gjalla dhe 92 ishin lindje të vdekura. Numri i lindjeve të gjalla në vitin 2024 krahasuar me vitin paraprak ka rënë për 4.0%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Mosha mesatare e nënave që kanë kryer lindjen e parë në Maqedoninë e Veriut është 28.2 vjeç, ndërsa 1 844 e lidhjeve janë kryer jashtë martese.

“Në vitin 2024 u regjistruan edhe 12 lindje të gjalla nga nënat nën moshën 15 vjeç. Sipas moshës së nënës, pjesa më e madhe prej 31.8% janë lindje të gjalla nga nënat e moshës prej 25 deri në 29 vjeç”, raportoi Enti.