Në lokalin ku shpërtheu zjarr në Zvicër kishte edhe një shtetas të RMV-së , autoritetet e vendit nuk dinë gjë për fatin e tij
Në lokalin në qendrën e skijimit Crans-Montana në Zvicër, ku shpërtheu një zjarr natën e Vitit të Ri, kishte edhe një shtetas nga Maqedonia. Kjo u konfirmua në konferencën e sotme për shtyp nga zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva, e cila shtoi se për momentin nuk ka informacione shtesë rreth rastit, apo gjendjes së personit, transmeton Portalb.mk.
“Informacioni i fundit që mora nga institucionet kompetente është se ka një person me shtetësi maqedonase. Jemi në kontakt me autoritetet dhe policinë kantonale dhe presim më shumë detaje në këtë drejtim. Nuk kam informacione shtesë. Do ta informojmë publikun sapo të kemi më shumë detaje”, tha Miteva, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në konferencën e sotme për shtyp.
Lidhur me ndihmën që vendi i ka ofruar Zvicrës pas tragjedisë, zëdhënësja e qeverisë tha se Qeveria dhe ministritë kompetente të punëve të jashtme dhe shëndetësisë janë në kontakt me autoritetet zvicerane dhe janë në dispozicion nëse vendit i kërkohet ndihmë.
“Fatkeqësisht, kemi kujtim të freskët të një tragjedie kaq të madhe. Vendi ynë u përball atëherë me solidaritet të përmasave të papara dhe sigurisht, si qeveri, jemi në kontakt me përfaqësuesit e shtetit, është ofruar ndihmë, jemi në dispozicion dhe presim që nëse është e nevojshme ata do ta kërkojnë nga ne, dhe ne do ta ofrojmë”, tha Miteva.
Pas zjarrit të tmerrshëm në qendrën e skive Crans-Montana në Zvicër, në rrjetet sociale u publikua apel për ndihmë pas zhdukjes së shtetasit maqedonas Steven Ivanovski. Ai, siç thuhet në postimet në rrjetet sociale, është parë për herë të fundit gjatë zjarrit që shpërtheu më 31 dhjetor në barin “Le Constellation” në qendrën e famshme dimërore zvicerane.
Zjarri në Zvicër vrau rreth 47 persona dhe plagosi më shumë se 115. Sipas raportimeve të mediave lokale, shumica e mysafirëve në bar ishin midis 15 dhe 20 vjeç.