Në Komunën e Tetovës u prezantua digjitalizimi i shërbimeve komunale

Sot në Komunën e Tetovës u prezantua projekti “Digjitalizimi i plotë i shërbimeve komunale”,  i cili ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve komunale të cilat marrin qytetarët si dhe zvogëlimin e radhëve të pritjes nëpër sportele, transmeton Portalb.mk.

Përfaqësues të kompanisë “SAGA” që janë pjesë e NOVENTIQ, thanë se në këtë fazë paraqesin hulumtimet dhe rezultatet e kryera gjatë fazës së parë, të dytë dhe të tretë.

“Me projektin e digjitalizimit shërbimet komunale ndaj qytetarëve dhe brenda administratës do të jenë shumë të sofistikuara, më të avancuara dhe në këtë mënyrë do të shkurtohen të gjitha procedurat administrative”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Sipas tyre, efikasiteti i planifikimit të planeve urbanistike, dhënien e lejeve për ndërtim, mbikëqyrje dhe procedurat e tjera do të kryhen përmes digjitalizimit.

“Faza e dytë e projektit përfshin shërbimin inspektues, shërbimet që i ofrojnë inspektorët dhe hartimi i raporteve për punën e tyre. Një ndër shërbimet tjera që tashmë pothuajse është e digjitalizuar është krijimi i Arkivës Digjitale, pra dokumentet të cilat tashmë duhet të jenë pjesë e procesit të digjitalizimit, duke përmirësuar shërbimet dhe duke lehtësuar procesin e arkivimit të dokumenteve do të përfshin të gjithë dokumentacionin”, theksojnë nga Komuna e Tetovës.

Nga atje shtuan se digjitalizimi ngërthen në vete edhe menaxhimin e resurseve njerëzore, kapacitetin e administratës, vlerësimin e tyre dhe shfrytëzimin e kapaciteteve njerëzore për krijimin e një sistemi më bashkëkohor dhe në shërbim të qytetit.

Ndryshe,  ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe realizohet nga Komuna e Tetovës dhe Fondacioni “Albiz”, projekti kap vlerën 616,055 euro në kohëzgjatje prej 40 muajsh, duke filluar prej më 17.01.2022. Ky projekt si qëllim ka aplikimin e zgjidhjes digjitale për përmirësimin e shërbimeve komunale urbanistike dhe inspektoriale, ku përmes tij do të digjitalizohen shumica e shërbimeve komunale dhe do të trajnohet personeli dhe qytetarët/bizneset. Kjo pritet të rezultojnë në nivel më të lartë të mbledhjes së fondeve të dedikuara të komunës dhe të krijojë hapësirë për investime të mëtejshme.