Në hollin e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup nesër do të shfaqet “Gratë e Puçinit”
Nesër (19 nëntor), ora 20:00, do të shfaqet para publikut shfaqja me titull “Gratë e Puçinit” njofton Portalb.mk.
Publiku do të ketë mundësi të rrallë për të shijuar interpretimet e disa prej arieve më të spikatura dhe më të njohura nga kompozitori i madh italian Xhakomo Puçini.
Në gala manifestimin ekskluziv do të interpretojnë solistët e operës Vesna Gjinovska Ilkova, Sandra Mitrovska, Pavlina Novakova Georgiev, Zllata Toshevska, Aleksandra Llazarevska Vasilevski, Katerina Stojanovska, Biljana Josifov dhe Ilina Mitrevska.
Në piano do të shoqërojë Andrej Naunov ndërsa regjisor i ngjarjes është Dejan Proshev.
Në të njëjtën kohë, në holl është ngritur ekspozitë nga arkivi i Operës dhe Baletit Nacional me titull “Puçini nëpërmjet historisë së OBN”.
Nga OBN, bëjnë të ditur se si Institucion, kanë përgjegjësinë për të kultivuar artin dhe për t’ua përcjellë atë brezave të ardhshëm.
Për të gjithë ata të cilët duan të jenë pjesë e kësaj vepre numri i biletave është i kufizuar.
Kjo vepër jepet në kuadër të projektit “Muaji i Puçinit”.