Në çfarë kushtesh do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Serbi?
Qytetarët e Serbisë do t’u drejtohen sërish kutive të votimit më 25 tetor, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkroi më 9 shtator dekretet për shpërndarjen e Kuvendit Kombëtar të Serbisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 25 tetor.
Ato do të jenë zgjedhjet e 15-ta parlamentare që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Serbi dhe të 11-at të parakohshme.
Ndërsa pushteti pretendon se kushtet zgjedhore janë përmirësuar në përputhje me rekomandimet e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), kritika vazhdon të ketë nga organizatat joqeveritare dhe raportet ndërkombëtare.
Zgjedhjet mbahen pothuajse tre vjet pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, të zhvilluara në dhjetor të vitit 2023, të cilat u shoqëruan me pretendime nga opozita, organizatat joqeveritare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për parregullsi serioze, presion ndaj votuesve, keqpërdorim të burimeve publike dhe shfrytëzim të funksioneve publike për qëllime elektorale.
Që atëherë janë miratuar një sërë ndryshimesh ligjore, të cilat përfaqësuesit e pushtetit i paraqesin si përgjigje ndaj rekomandimeve të ODIHR-it, ndërsa disa organizata vendore vlerësojnë se problemet kryesore nuk janë zgjidhur.
Çfarë sollën ndryshimet në ligjet zgjedhore?
“Në një milion e një mënyra i kemi përmirësuar edhe më tej kushtet zgjedhore, në mënyrë që askush të mos mund t’i vërë në dyshim rezultatet e këtyre zgjedhjeve – çfarëdo qofshin ato”, tha në fund të korrikut për agjencinë Tanjug Ana Bërnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë, nga radhët e partisë në pushtet.
Gjatë viteve 2025 dhe 2026, Kuvendi i Serbisë miratoi një sërë ndryshimesh ligjore me synimin për të përmbushur rekomandimet e ODIHR-it.
Në mesin e tyre janë: krijimi i Komisionit për verifikimin e listës së votuesve, rregulla të reja për financimin e aktiviteteve politike dhe ndryshimet në Ligjin për parandalimin e korrupsionit.
Në maj të vitit 2026 u ndryshuan katër ligje zgjedhore, përfshirë dispozitën që u mundëson votuesve të mbështesin më shumë se një listë zgjedhore – një nga rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Në fund të gushtit u miratuan edhe ndryshimet në Ligjin për parandalimin e korrupsionit, të cilat vendosin rregulla të reja për të ashtuquajturën “fushatë të zyrtarëve”.
Sipas ligjit të ri, gjatë fushatës, zyrtarët nuk mund të paraqiten në tubime politike duke përdorur funksionin e tyre publik, ndërsa ndalohet edhe përdorimi i burimeve publike për promovim politik.
ODIHR-i paralajmëron mision të plotë vëzhgues
Nga ODIHR-i thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të vlerësojnë paraprakisht nëse kushtet zgjedhore janë përmirësuar krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023, pasi një vlerësim të tillë do ta bëjnë vetëm pasi ta kenë vëzhguar të gjithë procesin zgjedhor.
ODIHR-i konfirmon se përgatitjet për misionin vëzhgues për zgjedhjet në Serbi, janë duke u zhvilluar.
Në raportin e misionit të publikuar në korrik të vitit 2026, ODIHR-i konstatoi se Serbia ka zbatuar një pjesë të rekomandimeve të mëparshme, por se shumë prej rekomandimeve afatgjata mbeten të papërmbushura ose janë zbatuar vetëm pjesërisht.
Në raport theksohet se bashkëbiseduesit e misionit kanë shprehur shqetësime lidhur me pretendimet për presion ndaj votuesve, mungesën e kushteve të barabarta për pjesëmarrësit në zgjedhje, gjendjen e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.
Për këtë arsye, ODIHR-i rekomandoi dërgimin e një misioni të plotë vëzhgues për zgjedhjet e ardhshme, përfshirë 32 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër.
A ka ndryshuar diçka që nga dhjetori i vitit 2023?
“Mendoj se gjendja është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me atë periudhë”, vlerëson drejtori programor i organizatës “Transparenca Serbia”, Nemanja Nenadiq, duke i krahasuar kushtet e tanishme zgjedhore me ato të tre vjetëve më parë.
Ai shpjegon se miratimi i ligjeve nuk ka sjellë në praktikë përmirësim të kushteve zgjedhore.
“Një pjesë e rëndësishme e kësaj tabloje u takon edhe institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të disa rregulloreve, të cilat, gjatë viteve të fundit, kanë treguar mungesë gatishmërie për t’i hetuar në mënyrë proaktive shkeljet e ligjit, apo madje edhe njëanshmëri të hapur. Këtu e kam fjalën për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Policinë dhe prokuroritë publike”, thotë Nenadiq.
Ai thekson se problemi i përdorimit të funksioneve publike për qëllime elektorale është i pranishëm edhe gjatë kësaj periudhe para zgjedhjeve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pothuajse çdo ditë që nga fillimi i gushtit – kohë kur zgjedhjet ende nuk ishin shpallur – ka vizituar qytete dhe fshatra nëpër Serbi, duke u premtuar qytetarëve jetë dhe të ardhura më të mira.
“Prandaj, mund të thuhet se Serbia prej vitesh ndodhet në një lloj fushate parazgjedhore të pashpallur”, shton Nenadiq.
Vlerësime të ngjashme ka dhënë edhe organizata joqeveritare “Crta”, e cila njoftoi se, edhe para shpalljes së zgjedhjeve, kishte evidentuar raste të keqpërdorimit të burimeve publike dhe presionit ndaj votuesve.
Dhunë dhe incidente në zgjedhjet lokale
Ndërsa pushteti hedh poshtë pretendimet për parregullsi në zgjedhjet e deritashme, zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura në mars të vitit 2026 në dhjetë komuna të Serbisë, u shoqëruan me incidente dhe prani të policisë në rrugë.
Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila është në pushtet, shpalli fitoren në të dhjetë komunat.
Misioni vëzhgues i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës tha se anëtarët e delegacionit të tij ishin dëshmitarë të dhunës në pothuajse të gjitha komunat që vizituan gjatë zgjedhjeve lokale.
Përplasje të ashpra, prani kërcënuese e personave të maskuar, dhunë dhe shkelje e fshehtësisë së votës ishin ndër dukuritë e evidentuara nga misioni vëzhgues i Këshillit të Evropës në këto zgjedhje, ndërsa OSBE-ja tha se regjistroi një nivel “të paprecedentë” të sulmeve ndaj gazetarëve.
Nenadiq përmend përvojën nga zgjedhjet e fundit lokale si një arsye tjetër për të dyshuar se parregullsi mund të ketë edhe në zgjedhjet parlamentare.
Pushteti i hedh poshtë këto kritika dhe pretendon se bëhet fjalë për akuza të pabazuara, përmes të cilave kundërshtarët politikë synojnë t’i delegjitimojnë zgjedhjet.
Në të njëjtën kohë, ai akuzon aktivistët opozitarë për sulme dhe provokime gjatë zgjedhjeve lokale.
Zgjedhje të parakohshme kërkuan studentët në maj të vitit 2025, pas disa muajsh protesta, në të cilat kërkuan përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024.
Përfaqësuesit e pushtetit kanë paralajmëruar disa herë zgjedhje të parakohshme, ndërsa Vuçiq ka deklaruar, gjithashtu, se së shpejti do të tërhiqet nga posti i presidentit – para përfundimit të mandatit të tij në prill të vitit 2027.