Në botë 47 përqind e bebeve ushqehen vetëm me gji gjatë 6 muajve të parë të jetës
Miliona nëna në mbarë botën vazhdojnë të mos kenë akses në shërbimet që mbështesin ushqyerjen me gji, edhe pse kjo mbetet një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur shëndetin e foshnjave dhe nënave, transmeton Euro News Albania.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it, investimet në mbështetjen e ushqyerjes me gji kanë sjellë përmirësime, por progresi mbetet i pabarabartë.
Të dhënat tregojnë se përqindja e foshnjave që ushqehen ekskluzivisht me gji gjatë gjashtë muajve të parë të jetës është rritur nga 37 përqind në vitin 2012 në mbi 47 përqind sot. Ndërkohë, përqindja e fëmijëve që vazhdojnë të ushqehen me gji deri në moshën dyvjeçare është rritur nga 38 përqind në 50 përqind gjatë pesë viteve të fundit.
OBSH dhe UNICEF vlerësojnë se zgjerimi i ushqyerjes me gji mund të parandalojë çdo vit afro 400 mijë vdekje të fëmijëve dhe rreth 140 mijë vdekje të nënave. Sipas tyre, çdo 1 dollar i investuar në promovimin e ushqyerjes me gji gjeneron rreth 59 dollarë përfitime ekonomike, falë uljes së kostove shëndetësore dhe përmirësimit të zhvillimit të fëmijëve.
Me rastin e Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji, OBSH dhe UNICEF u bëjnë thirrje vendeve të forcojnë mbështetjen për nënat, të zgjerojnë shërbimet e këshillimit dhe të investojnë në politika që nxisin dhe mbrojnë ushqyerjen me gji.