Ndryshimi i pozitës juridiko-politike të shqiptarëve, përcaktues për perspektivën e RMV-së

Në Maqedoni nuk po na lulëzojnë trëndafilat, në shumë fusha e për shumë arsye! Këtë, në forma e përmbajtje të ndryshme, vazhdimisht e konfirmojnë institucionet e forumet brenda e jashtë shtetit. Më i fundit, por jo i vetmi dhe jo më pak i rëndësishmi, është raporti i para pak ditëve i Freedom House, ku konstatohet se: “Maqedonia nuk është vend plotësisht i lirë…”. Në raportet e shumta të BE-së, ku Republika e Maqedonisë së Veriut aspiron anëtarësimin, me vite rresht vihet në pah se ky shtet nuk qëndron mirë me politikat e brendshme dhe me realizimin e “detyrave të shtëpisë”: luftën kundër korrupsionit, gjyqësorin e pavarur, prokurorinë e pavarur, zbatimin e decentralizimit etj. Por, në të gjitha ato raporte nga jashtë, deri më tani tejet pak potencohet kapitulli i raporteve ndërnacionale brenda shtetit, ku do të duhej shikuar e rishikuar raporti i shtetit ndaj popullatës shqiptare, që këtu përbën mbi 30% të mbarë popullsisë në shtet.
Kjo gjendje në shtet, që zgjat me dekada të tëra, realisht është rrjedhojë edhe e pasivitetit dhe qetësisë iracionale të subjekteve politike të shqiptarëve, si dhe mungesës së reagimeve energjike të tyre brenda shtetit, por edhe tek faktorët e jashtëm. Te faktori ndërkombëtar, ky pasivitet i shqiptarëve me gjasë ka krijuar perceptimin e gabuar se, në këtë plan, me shqiptarët në RMV çdo gjë është në rregull, gjë që në të vërtetë nuk është! Është koha që të gjenden më shumë njerëz e grupe që, brenda e jashtë shtetit, troç ta thonë: “Mbreti është lakuriq”! Paçka se ata mund të trajtohen si anakronikë, madje, në kundërshtim me lirinë e të shprehurit, potencialisht mund të gjenden edhe të akuzuar publikisht e ndoshta edhe zyrtarisht apo institucionalisht. Ndoshta mund të gjenden të akuzuar edhe nga vetë ndonjë parti politike e shqiptarëve këtu në RMV!
Shqiptarët në shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk qëndrojnë mirë me statusin e tyre juridiko-politik. Shqiptarët në shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk qëndrojnë mirë me statusin e tyre në Kushtetutë! Prej këtu rrjedhin të gjitha shqetësimet e tyre në relacionin popull-shtet, të cilat, deshi dikush apo jo, vetë shteti duhet t’i pranojë si çështje reale e serioze që presin zgjidhje.
Nganjëherë gjendja e shqiptarëve në RMV duket se ngjan me situatën e shqiptarëve (kryesisht të Kosovës) në Jugosllavinë e Titos, kur ai nuk jetonte më. Asokohe, kombet i kishin edhe republikat e tyre, të cilat, siç e dimë, kishin karakteristika shteti. Së këndejmi, ata edhe ndiheshin më komodë në to, duke mos çarë kokën për perspektivën e shtetit, RSFJ-së së atëhershme. Madje, disa prej tyre edhe punonin haptas për dekompozimin e këtij shteti. Fitohej përshtypja se lidershipi i këtyre (disa) kombeve ndaj shtetit të përbashkët (RSFJ) sillej si djali plëngprishës me pasurinë e trashëguar nga i ati… Shqiptarët, që asokohe kërkonin “Kosova-Republikë” në kuadër të RSFJ-së, pra kërkonin barazi me të tjerët, rezultonte të kenë qenë më të përcaktuar për ekzistencën e shtetit të përbashkët të RSFJ-së, sesa disa kombe të cilat tapinë e shtetit e kishin të pakontestueshme.
Popullata shqiptare sot nuk duhet të ndihet e mjaftuar vetëm me konstatimin (siç bën opozita shqiptare aktuale) se dy e më shumë dekada jetuam kështu e kështu, u bë çka u bë dhe arritëm kaq e aq, dhe me kaq e kështu e përmbyllëm çështjen e 24 viteve të shkuara që nga MO-ja. Tash, “o burra të bëjmë breshëri me kërkesa për ndryshime”, duke e akuzuar pozitën shqiptare aktuale pse ajo nuk po bën më shumë për shqiptarët. Nga gjendja ku jemi, nuk gjenerojnë rrugëdalje as akuzat, sado që ka vërtetësi në shumë sosh, se gjendja aktuale e pafavorshme e shqiptarëve është pasojë e punëve të nisura e të lëna përgjysmë, apo edhe fare të panisura nga partia tjetër që për mbi 20 vite ishte pjesëmarrëse nëpër qeveritë e RM-së dhe që e dominonte politikën e shqiptarëve. Për të arritur te konkluzioni imperativisht i nevojshëm për ndryshimin e gjendjes ekzistuese të shqiptarëve në RMV, imponohet nevoja e një anamneze historike të paktën po kaq vjeçare, përfshirë edhe aktualen. Kjo anamnezë retrospektive mund të shtrihet edhe më shumë se kaq, thellë e më thellë në historinë tonë të përbashkët, madje edhe shumë më përtej Republikës së Krushevës, që krahas të tjerash, në të gjitha Kushtetutat e Maqedonisë merret si zanafilla e shtetësisë së Maqedonisë, për të vazhduar më tej me ASNOM (KAÇKM), Republikën Popullore të Maqedonisë, Republikën Socialiste të Maqedonisë, Republikën e Maqedonisë e deri në shtetin e sotëm – Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në të gjitha këto instanca të shtetësisë së RM-së, historikisht (si dhe aktualisht) populli maqedonas dhe populli shqiptar rezultojnë demiurgë të përbashkët të shtetësisë së këtij shteti, qoftë si luftëtarë, qoftë si politikanë të përkushtuar për të ndërtuar shtet të përbashkët. Brenda këtij konstelacioni duhet parë, dhe kjo nuk bën të harrohet, kontributi konstituues-zhvillimor edhe i asaj plejade veprimtarësh, luftëtarësh e më pas funksionarësh të lartë shtetërorë nga Reka e Epërme, nënat e gjyshet e të cilëve nuk dinin e nuk flisnin gjuhë tjetër, përveç “gjuhës shqipe”! Nëpër luftëra e situata të tjera të vështira, kur ka qenë në pyetje të jesh apo të mos jesh (të ekzistojë shteti apo të mos ekzistojë), shqiptarët nga maqedonasit janë thirrur vëllezër (“Браќа шиптари”; “Браќа Албанци”) dhe anasjelltas. Por më pas, si kalojnë rreziqet, nga maqedonasit kjo harrohet!
Aktualiteti shoqëror-politik në të cilin gjendet Republika e Maqedonisë së Veriut dhe brenda kësaj, si kapitull në vete edhe realiteti institucional-shtetëror i popullit shqiptar, imponon nevojën për një qasje sado pak analitike në disa rrafshe:
- Marrëveshja Kornizë e Ohrit (në tekstin e mëtejshëm: MO), mangësitë e saj që në ngjizje me zgjidhjet e dala prej saj;
- Sjellja e partive politike me proveniencë maqedonase, si dhe e institucioneve shtetërore ndaj MO-së, pra ndaj zbatimit të saj;
- Sjellja e partive politike shqiptare, e asaj të dalë nga lufta e UÇK-së, pra e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), e cila qëndroi në qeveritë e Maqedonisë për 22 vite, duke mos e lënë anash përgjatë gjithë kësaj periudhe edhe sjelljen e opozitës politike-partiake shqiptare.
(1) Për të ndriçuar pozitën e sotme të shqiptarëve në Maqedoni dhe, konform kësaj, edhe për të arritur te konkluzioni për ndryshimin e saj, që është i një rëndësie të veçantë edhe për ekzistencën e vetë shtetit të Maqedonisë së Veriut, pa u humbur në historicizëm të shterpë, është e domosdoshme një qasje reale dhe analitike ndaj MO-së të vitit 2001, ndaj zgjidhjeve apo produkteve të saj. Nga këndvështrimi i interesit të popullit maqedonas, këto zgjidhje të arritura janë produkte të mirëfillta: konfirmim e forcim i shtetformësisë së këtij populli. Kurse rrjedhojat e MO-së për kombin shqiptar këtu autokton janë nënprodukte, sepse baza mbi të cilën këto zgjidhje ndërtohen nuk e ka shtetformësinë. Prandaj, ato mbeten në thelb mohim i qenësisë shtetformuese të popullit shqiptar në Maqedoni. Për më shumë, pozita e shqiptarëve në këtë shtet duket të jetë një riciklim i së kaluarës, madje në disa raste edhe më e zbehtë se më parë.
Konflikti i armatosur (siç parapëlqehet të quhet lufta e UÇK-së nga institucionet) në Maqedoni në vitin 2001 solli Marrëveshjen Kornizë të Ohrit si marrëveshje paqeje mes maqedonasve e shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë, si kompromis i arritur nën lehtësimin (pse jo, në një mënyrë edhe nën diktatin) e faktorit ndërkombëtar, BE-së dhe SHBA-së. Këta faktorë euro-atlantikë janë nënshkrues të saj si lehtësues ndërkombëtarë në dialog. Lehtësuesit, alias garantët, ishin e mbetën për arritjen, por edhe për implementimin e MO-së. Të paktën kështu figurojnë në letrat e MO-së!
Sado që kompromisi është dakordësim mes dy palëve të cilat edhe më tej mbeten pjesërisht të kënaqura e pjesërisht të pakënaqura, arsye të vërteta për të qenë të pakënaqur me MO-në, që kur u nënshkrua ajo e deri më sot, ka vetëm pala shqiptare. Pala maqedonase nuk ka kurrfarë arsyeje për pakënaqësi me MO-në; nuk hoqi dorë nga asgjë të cilën e kishte edhe më parë. Madje, këtë as që ua kërkoi kush, as pala tjetër e këtij kompromisi (shqiptarët), as lehtësuesit. Sot e gjithë ditën shqiptarët nuk kërkojnë që populli maqedonas të heqë dorë nga shtetformësia e tyre që është në Kushtetutë. Shqiptarët me MO-në mbetën të mangët, andaj edhe të pakënaqur, sepse nuk u arrit barazia kushtetuese e tyre me maqedonasit. Për shkaqe mosbarazie ndodhi lufta! Nuk u arrit që edhe shqiptarët të jenë popull shtetformues i Republikës së Maqedonisë, baras me maqedonasit.
Nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit rezultuan Preambula dhe amendamentet kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Teksti i Preambulës së Kushtetutës, krahas të tjerash, shkruan: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, si dhe qytetarët tjerë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vllah, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerëve…” Pra, në Maqedoni ekziston një popull dhe ai është populli maqedonas, dhe janë qytetarët-pjesë të popujve, pakicat. Këtu vendin e kanë edhe shqiptarët: pakicë, nacionalitet. Shqiptarët autoktonë, më shumë se 30% e substancës popullative në shtet, në Preambulë e në Kushtetutë mbetën pakicë e barazuar me ata që në shtet nuk janë as edhe 1%! Për këtë arsye, edhe gjuha e më shumë se 30% të popullatës në shtet – gjuha shqipe – mbeti e paemërtuar me emrin e vet. Gjuha shqipe në Kushtetutë mbeti si “tjetër gjuhë të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve…”.
Vazhdon…