Ndryshimi fillon nga gjuha

“Gjuha hap porta mendimi”, tha Brodsky. Gjuha e përcakton nivelin tonë kulturor. Nëpërmjet gjuhës që na shërben vetëm për nevoja utilitare, nuk mund të shprehim mendime të thella dhe ide të reja.

Kjo gjuhë nuk i mjaftoi Pjetër Bogdanit që ta shkruante “Çetën e Profetëve”, prandaj kërkoi “fjalë plaka e të harrueme”. Nuk i mjaftoi De Radës që t’i krijonte veprat madhore. Shkrimtarët dhe mendimtarët e pasurojnë gjuhën, ashtu siç bënë Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci apo Ismail Kadare. Veprat e tyre dëshmojnë se gjuha shqipe është e aftë për krijimin e kryeveprave letrare.

Kush shërbehet me klishe, nuk mund të ketë ide të reja. Ai vetëm riformulon ide të vjetra, të mbështjella me ambalazh të ri. Për ta kuptuar kulturën e dikujt, duhet të dëgjojmë sa fjalë përdor në paraqitjet publike.

Oratorët thonë se do të sjellin ndryshimin, por s’duan ta ndryshojnë veten. Ata flasin për investime të mëdha, por nuk investojnë në vetvete.

Ndryshimet fillojnë nga gjuha. Nuk duhet të mahnitemi nga propaganda. Megafonat partiakë apo ideologjikë i shpallin gjeni edhe mediokrit. Na duhet një gjuhë tjetër, nëpërmjet së cilës mund të shprehim ide të reja dhe pastaj këto ide të realizohen praktikisht.

Pa një rrëfim të ri për gjendjen tonë do të vazhdojmë të merremi me probleme që janë aktuale nga vitet ’90 të shekullit të kaluar.

Jemi në periudhën e parullave, të refreneve, të klisheve, të përsëritjeve, të zhurmës për asgjë. Jetojmë në kohë të ngrirë dhe udhëhiqemi me logjikë province. Kudo mbizotërojnë fjalët: infrastrukturë, kanalizim, ujësjellës, parkingje, deponi, asfalt. Pastaj: fitore, komb, flamur, patriotë, tradhtarë… Sot do të duhej të flitej për tramvaj më të shpejtë, metro, digjitalizime, konkurrencë globale…

Aty ku s’ka shpresë për mbrothësi, ka polarizime, akuza, etiketime, fyerje.

Vetëdija totalitare nuk e pranon shumësinë e mendimeve, të qasjeve, të vizioneve dhe të ideve. Ajo shërbehet me gjuhë parullash, kurse stalinizimi i gjuhës na errëson mendjen.

Në vend të sharjeve, të fyerjeve dhe të etiketimeve, na duhet respekti për njëri – tjetrin, për mendimin ndryshe, për kundërshtarin politik.

Në vend se ta përdorim gjuhën si “mjet” acarimi dhe keqkuptimi, duhet ta përdorim si “mjet” mirëkuptimi e tolerance dhe për të shprehur ide të reja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.