Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore hesht ndaj akuzave për diskriminimin ndaj shqiptarëve

Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore nuk përgjigjet për akuzat për diskriminim ndaj shqiptarëve të cilat i ka adresuar opozita, shkruan Portalb.mk.

Deputeti i Frontit Evropian Blerim Bexheti akuzoi se diskriminimi ndaj shqiptarëve është i planifikuar dhe i koordinuar në këtë institucion.

“Fakte të pamohueshme të diskriminimit: Këshilli Drejtues, që më parë përfshinte 2 shqiptarë nga 7 anëtarë, tani është pastruar tërësisht — të gjithë 7 janë maqedonas. Dy ndihmës-drejtorët shqiptarë të deritanishëm degradohen dy pozita më poshtë dhe zëvendësohen me maqedonas. Përgjegjësit e pikave pagesore , nga një raport 19 maqedonas dhe 9 shqiptarë, tani janë kthyer në 23 maqedonas dhe vetëm 5 shqiptarë dhe më e fundit, nga 28 punësime të reja, 23 janë maqedonas dhe vetëm 5 shqiptarë”, ka shkruar Bexheti.

Bexheti kujtoi se mekanizmi “balancuesi” që dikur garantonte një përfaqësim të drejtë për shqiptarët u hoq si “i dëmshëm” dhe si realizim i programës zgjedhore të parties në pushtet.

“Por çfarë kemi sot? Një “platformë “të hapur diskriminimi ku shqiptarët largohen, degradohen , diskirminohen dhe zëvendësohen pa turp”, përfundoi Bexheti.

Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk edhe pse nga zëdhënësja e institucionit u njoftuam se do të kemi përgjigje.

Pas shfuqizimit të “balancuesit”, në Republikën e Maqedonisë nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të etnive. Eksponentë të koalicionit VLEN nëpër daljet e tyre publike zotohen se po punojnë për përpilimin e ligjit të ri, por deri më sot nuk ka asgjë konkrete.