Ndërhyrja e huaj nuk mund të ketë sukses pa ndërhyrjen e brendshme në informacion, u tha në panelin e ISK-së

Ndërhyrja e jashtme dhe manipulimi me informacione (NJMI) nuk ndodh në ditën e zgjedhjeve, por fillon shumë më herët, dhe për këtë arsye monitorimi i kësaj çështjeje duhet të fillojë menjëherë, u argumentua në tryezën e rrumbullakët “Gatishmëria e institucioneve për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimit të informacionit: sfidat, koordinimi dhe hapat e ardhshëm”, të organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

Eksperti i pavarur Federiko Julio Sikarela tha se NJMI nuk mund të ekzistojë pa ndërhyrjen e brendshme dhe manipulimin e informacionit (NBMI).

“Faktorët e NJMI nuk kanë sofistikimin për t’u përshtatur në kontekstin e brendshëm, për ta bërë veprimin edhe më të suksesshëm. Kur duam të krijojmë praktika të NJMI, duhet të kemi parasysh se NBMI është po aq i rëndësishëm”, tha Sikarela.

Ai theksoi se Bashkimit Evropian i është dashur rreth një dekadë për të ndërtuar një përgjigje të strukturuar dhe institucionale ndaj ndërhyrjeve të huaja, e cila kaloi nga reaktive në proaktive. Një pikë kthese kyçe për këtë ishte pandemia Covid dhe pushtimi rus i Ukrainës, pas së cilës BE ndërtoi mekanizma të fortë legjislativë për të luftuar dezinformimin.

Duke kërkuar modelin ideal për një përgjigje institucionale, Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, vuri në dukje aktivitetet për të krijuar një grup pune joformal, të përbërë nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, që punojnë në parandalimin dhe përballimin e fushatave të dezinformimit.

Jo McCarron-Shipman nga Shërbimi i Komunikimit Qeveritar të Mbretërisë së Bashkuar prezantoi modelin britanik RESIST.

“Është thelbësore të mos reagojmë ndaj çdo informacioni të manipuluar, të mos e vendosim veten si arbitra të së vërtetës. Ne kemi dy parime themelore: të mos bëjmë dëm në këtë fushë dhe të rishqyrtojmë atë që është brenda kompetencës sonë, domethënë të mbrojmë diskursin demokratik”, tha McCarron-Shipman.