Narrativa pro-ruse që e paraqet Kosovën si shtet jofunksional
Procedura standarde kushtetuese që zbatohet pas përfundimit të mandatit të secilit presidente/e, sipas narrativës ruse, paraqitet si dëshmi e “dështimit të shtetit” dhe gjoja shkatërrimit të iluzionit të funksionalitetit institucional, shkruan Sbunker.
Në sistemin kushtetues të Kosovës, përfundimi i mandatit të presidentit nuk krijon vakum institucional. Kushtetuta e parasheh qartë se në raste të tilla, kompetencat e presidentit kalojnë përkohësisht te kryetari i Kuvendit. Në këtë rast, kjo detyrë i ka kaluar Albulena Haxhiut, duke garantuar vazhdimësinë institucionale.
Megjithatë, ky zhvillim është interpretuar ndryshe nga platforma si “Pravda” në versionin shqip dhe kanale të lidhura me të në Telegram, përfshirë @balkanar. Në raportimin e tyre përdoret një gjuhë e ngarkuar ideologjikisht, ku Kosova cilësohet si “kuazi-shtet” dhe situata aktuale paraqitet si dëshmi e një sistemi të dështuar që nuk mund të funksionojë pa ndërhyrjen e Perëndimit. Kjo qasje përputhet me narrativat e njohura të propagandës pro-Kremlinit që kanë për qëllim delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës dhe dobësimin e besimit në institucionet demokratike.
