Muzika shqipe jehoi në qendër të Kërçovës në natën e Vitit të Ri, festë që solli unitet qytetar

Në natën e Vitit të Ri, qendra e Kërçovës u shndërrua në një skenë ku muzika shqipe jehoi fuqishëm, duke sjellë atmosferë festive dhe emocione të veçanta për të pranishmit. Publiku u argëtua me interpretimet e këngëtares Rozafa Etemi dhe bandit Black Jack, ndërsa një nga momentet më të spikatura të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës legjendare “Era” nga banda kosovare e viteve ’80 Gjurmët, bashkë me mysafiren e talentuar nga Kërçova, Isra Elmazi, shkruan Portalb.mk.

Kitaristi Jetmir Mehmedi për Portalb.mk tha se muzika nuk njeh gjuhë dhe as kufij.

“Në prezantimin tim në këtë koncert u ndjeva shumë mirë, sepse pikërisht për këtë koncert kisha përzgjedhur disa prej nxënësve të mi nga Shkolla e Mesme e Muzikës, si dhe ish-nxënës që sot janë kolegë, por edhe studentë. Për këtë koncert jemi përgatitur në një kohë shumë të shkurtër, pasi edhe vetë eventi u organizua shpejt nga Komuna e Kërçovës. Ne ishim të vetmit artistë shqiptarë që performuam atë natë dhe për ne ishte një nder i madh të prezantohemi para publikut kërçovar. Vlen të përmendet edhe mysafirja speciale Isra Elmazi, e cila u ngjit në skenë për të interpretuar këngën “ERA”, nga grupi i njohur kosovar i viteve ’80, Gjurmët. Ndjehem shumë mirë, ashtu si edhe i gjithë bendi, sepse kërkesa nga ana e komunës ishte që secili artist të prezantohej me muzikën e bukur dhe në gjuhën e vet. Sigurisht, ne interpretuam edhe muzikë të huaj përfshirë këngë nga këngëtarja jonë me famë botërore Dua Lipa. Muzika nuk njeh gjuhë dhe as kufij, prandaj edhe u pritëm jashtëzakonisht mirë nga publiku multietnik i Kërçovës”, tha Mehmedi.

Foto nga koncerti. Foto: Jetmir Mehmedi
Foto nga koncerti. Foto: Jetmir Mehmedi

Në përbërje të bandit që e formuam për natën e Vitit të Ri ishin:

  • Rozafa Etemi, e cila tani studion në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e Kantos;
  • Sidrit Haliti, ish-nxënësi im, tani në studime Master, në klasën e prof. Xhevdet Sahatxhijes në Kosovë;
  • Elmir Begzati, nxënës në vitin e parë në klasën e kitarës në Shkollën e Mesme të Muzikës në Tetovë;
  • dhe Seid Seferi, maturant në Shkollën e Muzikës në Tetovë.
Foto nga koncerti. Foto: Jetmir Mehmedi
Foto nga koncerti. Foto: Jetmir Mehmedi

Koncerti në qendrën e Kërçovës dëshmoi edhe një herë se muzika shqipe mbetet urë bashkimi dhe energjie për publikun, sidomos në netët festive kur emocionet janë më të forta. Performanca e Rozafa Etemit dhe bandit Black Jack, si dhe bashkëpunimi me Isra Elmazin në këngën “Era”, u pritën me duartrokitje dhe entuziazëm, duke e bërë këtë natë të Vitit të Ri një kujtim të veçantë për të gjithë të pranishmit.

Foto nga koncerti. Foto: Jetmir Mehmedi
Foto nga koncerti. Foto: Jetmir Mehmedi