Dhjetë kilogramë kokainë u zbulua në një makinë në fshatin Koliçan të Shkupit, Prokuroria nisi hetimet (VIDEO)

Në një aksion të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit dhe Ministria e Brendshme, dje u zbuluan 10 kilogramë kokainë me pastërti të lartë, të fshehur në një makinë BMW X5 me targa të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Makina u ndalua në fshatin Koliçan i Epërm, pas së cilës prokurori publik mori urdhër nga një gjyqtar në procedurë paraprake për bastisje të detajuar dhe droga u gjet në një bunker të improvizuar në pjesën e poshtme të automjetit.

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur hetim kundër 26-vjeçarit që drejtonte makinën për vepër penale – Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve sipas nenit 215, paragrafi 1 i Kodit Penal. Prokuroria për të dyshuarin do të propozojë paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit te dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët, si dhe gjasave për të vazhduar kryerjen e veprave penale.

Meqenëse bëhet fjalë për një sasi të madhe droge, prokurori publik po lëshon urdhra të shumtë për të hetuar origjinën e kokainës dhe destinacionin e saj përfundimtar, si dhe persona të tjerë të përfshirë.