MPJ me thirrje për qytetarët e RMV-së që ndodhen në Izrael të respektojnë udhëzimet e autoriteteve izraelite

Në lidhje me situatën e vështirësuar të sigurisë në pjesën jugore dhe qendrore të Izraelit, Ministria e Punëve të Jashtme apelon qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët për momentin gjenden në Izrael që të respektojnë udhëzimet e autoriteteve të sigurisë së Izraelit, transmeton Portalb.mk.

Informacione më të detajuara mund të gjenden në këtë ueb-faqe: https://www.oref.org.il/12481-en/Pakar.aspx

MPJ informon se sipas informacioneve të Ambasadës së vendit në Tel Aviv të Izraelit, shtatë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndodhen në qytetin Vietlem, në Bregun Perëndimor, që nuk është i përfshirë nga ngjarjet aktuale.

Për më shumë informacione, në dispozicion është shërbimi SOS i Ministrisë së Punëve të Jashtme në numrin 075/273-732, si dhe linjat telefonike të Ambasadës në Izrael +972-54-926-7378.

Ndryshe, Ushtria e Izraelit tha më 7 tetor se po godiste caqe të Hamasit në Gaza pas një breshërie intensive të sulmeve me raketa në orët e para të mëngjesit, që kishin për shënjestër caqe në jug të Izraelit. Hamasi lëshoi dhjetëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Hamasi publikoi një deklaratë duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.