RMV, rritet TVSH-ja për disa produkte

Akullorja, patatinat, thjerëzat e misrit do të shiten më shtrenjtë pasi qeveria solli vendim për të rritur TVSH-në, e siç thonë produkteve që janë luks apo nuk i bëjnë mirë shëndetit, raporton Klan M.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se produktet ushqimore që u shtrenjtuan pas rritjes së TVSH-së nga qeveria nga 5 në 10 përqind vazhdojnë të janë nën normën bazë prej 18 përqind. Mund të korrigjohet norma te disa artikuj të cilët me vendimin e ri kanë normë prej 10 përqind, por kryeministri beson se mund të jenë një ose dy produkte, sepse lista është bërë me kujdes.

“Kemi zbritur çmimet e produkteve bazë deri 30%. TVSH-ja në vendin tonë është më e ulëta krahasuar me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Ne kemi një normë bazë të TVSH-së 18%, ndërsa në Serbi dhe Shqipëri është 20%, në Greqi 21%, dhe në Kroaci 25%, që do të thotë se të gjitha kanë një normë bazë më të lartë tatimore. Kur shohim listën e produkteve preferenciale me 5 përqind taksë, janë 1600 produkte, që është edhe lista më e madhe e artikujve të të gjitha vendeve” , tha Kovaçevski.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë që me rritjen e TVSH-së përfitojnë më shumë tendera persona të LSDM-së dhe BDI-së.

“Qytetarët duhet të jenë të vetëdishëm për atë se çdo produkt të cilin e paguajnë më shumë se dje, ato të holla shkojnë për tender të cilët janë marrë vesh LSDM-BDI në katër sy. Janë para që shkojnë direkt te personat të cilët përfitojnë nga qytetarët”, deklaroi Mickoski.

Me vendimin e ri të Qeverisë, i cili është miratuar më 28 shtator dhe ka hyrë në fuqi prej të premten e 6 tetorit, është rritur TVSH-ja për disa produkte ushqimore të konsumit të përditshëm si disa prodhime të qumështit, orizi, vezët, peshku, disa lloje të miellit, reçelra, ajvari e të tjera.