Këshilli Komunal i Tetovës miratoi çmimet e reja për mbeturinat (Video)

Pas kaosit me ankesat e qytetarëve të Tetovës për marrjen e faturave të larta për shërbimet komunale (mbeturina, ujë, kanalizim, pastërti publike), Këshilli i Komunës së Tetovës në seancë të jashtëzakonshme solli vendim me të cilin bëhet ndryshimi i çmimeve për mbeturinat, shkruan Portalb.mk.

Vendimi që solli Këshilli Komunal përfshin:

  • Çmimi për grumbullimin e mbeturinave të amvisërive (sipërfaqe banimi për m2) për qytetin do të jetë 3,20 denarë për metër katror.
  • Çmimi për grumbullimin e mbeturinave të amvisërive për zonat rurale – fshatrat: Reçicë e Vogël, Reçicë e Madhe, Falisht, Saraqinë, Poroj, Xhepçisht do të jetë 540 denarë në muaj.
  • Çmimi për grumbullimin e mbeturinave për amvisëri në zonat rurale – fshatrat në zonën malore: Bozofcë, Veshallë, Gajre, Llacë, Lisec, Shipkovicë, Jedoarcë, Otunje dhe Setole do të jetë 340 denarë.
  • Çmimi për grumbullimin e mbeturinave të amvisërive për personat rezident dhe ato jorezident që kanë dy ose më tepër objekte banesore, për objektet që nuk paraqiten si vendbanim i pronarit do të faturohen vetëm 50% e hapësirës banesore.

Këshilltari komunal nga PDSH, Visar Palloshi propozoi të kthehet metodologjia e vjetër e llogaritjes për mbeturinat, të llogaritet me kilogram për kokë banori pra sa banorë jetojnë në atë amvisëri, deri sa të azhurnohen të dhënat në ndërmarrjen e re.

Ndërsa këshilltari nga BDI, Liridon Disha tha se nuk është e drejtë që fshatrat të paguajnë çmime paushallë ndërsa ata që jetojnë në qytet të paguajnë në bazë të metër katrorit. Ai tha se duhet të vlejë e njëjta llogaritje si për fshatrat dhe për qytetin, si dhe të jetë zgjidhje afatshkurtër derisa të gjendet zgjidhje më e mirë.

Nga komuna paraprakisht kanë sqaruar se nëse qytetarët kanë marrë fatura më të larta për muajin shkurt, në muajin mars dhe prill do të ju minusohen, pra do ju vijnë faturat në vlerë 0 derisa të vijnë në vlerën që kanë paguar paraprakisht për muajin shkurt.

Qytetarët për ankesa mund të drejtohen në zyrat e ‘Saubermacher’ në fshatin Pallçisht, në zyrat e NPK-së te Tregu i Gjelbër në Tetovë. Ndërsa nga e hëna te sportelet në komunë do ketë persona që do merren vetëm me problemet e faturave.

Sot më herët gjatë ditës, në Komunën e Tetovës ka pasur edhe takim nga kryetari i komunës me qytetarët për problemin me faturat për shërbimet komunale.

Gjatë dy javëve të fundit ka pasur shumë ankesa nga qytetarët se atyre ju kanë arritur fatura shumë të larta për shërbimet komunale, pasi faturat për muajin shkurt 2024 kanë nisur të lëshohen nga ndërmarrja ‘Saubermacher’, e cila me partneritet publiko-privat ka marrë përsipër menaxhimin e këtij aktiviteti.

Komuna e Tetovës në janar 2024 miratoi çmimore të re për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, me çka përllogaritja bëhet për metër katrorë, ndryshoi edhe çmimorja për ujin.

Ndërmarrja ‘Saubermacher’ e cila lëshon faturat, ka theksuar se ata vetëm bëjnë faturimin ndërsa se vendimet për çmimoret i sjell komuna dhe se të dhënat e përllogaritura në fatura janë të marra nga komuna.

Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.