MMPT: Kasami e përdor varfërinë për vota, nëse e ka hallin e tetovarëve le t’i ulë çmimet e shërbimeve komunale ashtu siç i rriti
Shoqata Më Mirë për Tetovën (MMPT) ka kritikuar vendimin e Komunës së Tetovës për ndarjen e vauçerëve me të cilën mund të paguhen vetëm shërbimet komunale. Sipas tyre ai e bën këtë për të përfituar vota për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kërkojnë që nëse ai vërtetë e ka hallin e qytetarëve t’i ulë çmimet e shërbimeve komunale, raporton Portalb.mk.
Ata thonë se paralajmërimi i djeshëm i kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për ndarjen e ndihmave të njëhershme financiare ngre disa çështje të rëndësishme.
“Ne propozojmë që, në vend që kjo ndihmë të jepet vetëm një herë dhe pikërisht në periudhë parazgjedhore, Komuna të angazhohet që ndihma të tilla të ofrohen çdo vit, në mënyrë të rregullt dhe transparente. Përndryshe, dyshimet për manipulime me motive elektorale mbeten plotësisht të arsyeshme”, thanë nga MMPT.
Ata thonë se duke qenë se partia e Bilall Kasamit është pjesë e qeverisë qendrore, bëjnë thirrje që të ndërmerren masa konkrete në nivel shtetëror për përmirësimin e mirëqenies sociale të familjeve në nevojë në Tetovë, përmes institucioneve përkatëse dhe jo vetëm përmes komunës.
“Nën drejtimin e Bilall Kasamit, Komuna e Tetovës ka rritur tatimin mbi pronën me 50%, çmimin e ujit me 100% dhe tarifat e mbeturinave nga Saubermacher me 200%, duke rënduar ndjeshëm xhepin e qytetarëve. Nëse mirëqenia e qytetarëve është vërtet prioritet, e ftojmë kryetarin Kasami që të rikthejë çmimet e shërbimeve komunale në nivelet e mëparshme, duke dëshmuar kështu kujdes të sinqertë për interesat e qytetarëve”, thanë nga MMPT.
Ky veprim u kritikua edhe nga këshilltarët opozitarë të BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës.
Liridon Disha tha se kjo është tentativë e pastër e blerjes së votës para zgjedhjeve lokale.
“Tetovarët nuk blihen me 3,000 denarë. Në tetor do ta marrësh përgjigjen”, tha Disha.
Kujtojmë se dje Komuna e Tetovës ka hapur thirrje publike për ndarjen e ndihmës financiare të njëhershme (vauçerë) për qytetarët në nevojë sociale për vitin 2025.
Përmes kësaj thirrjeje, Komuna e Tetovës do të ndajë 1.000 vauçerë në vlerë prej 3.000 denarësh secili.
Këto vauçerë do të mund të përdoren vetëm për shlyerjen e obligimeve ndaj Komunës së Tetovës (taksë mbi pasurinë), si dhe për pagesën e shërbimeve të ofruara nga Ndërmarrja Publike “Sharri” dhe kompania “Saubermacher” .
Për këtë ndihmë mund të aplikojnë përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe pensionistët që marrin pension social.
Thirrja është e hapur nga data 11 qershor deri më 30 qershor 2025, dhe aplikimi bëhet përmes dorëzimit të kërkesës pranë sporteleve të Komunës.
Formularët janë të qasshëm si në formë elektronike në faqen zyrtare të komunës www.tetova.gov.mk, ashtu edhe në mënyrë fizike në ambientet e komunës.
“Përzgjedhja do të bëhet me transparencë të plotë dhe në mënyrë të drejtë, sipas parimit i pari që aplikon, i pari përfiton”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Vlerësimi i kërkesave do të bëhet nga një komision, i ngritur enkas për këtë qëllim, me përfaqësues nga administrata komunale.