Mitreski: Gjashtë nga tetë deputetë të Aleancës për Shqiptarët janë pjesë e shumicës qeverisëse

Gjashtë nga gjithsej tetë deputetë të Aleancës për Shqiptarët në Kuvend e mbështesin koalicionin qeverisës, tha në një intervistë për MIA-n, kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski. Kjo është përgjigjja që ai i jep pyetjes nëse shumica parlamentare është e qëndrueshme pas përçarjes që ndodhi në Aleancën për Shqiptarët, transmeton Portalb.mk.

Stabiliteti i shumicës qeverisëse, siç thotë Mitreski, është parë gjatë votimit për shkarkimin e ministrave Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu.

“Po. Kjo u pa edhe në votën e shkarkimit. Pra, kur tashmë e përmendni Aleancën për Shqiptarët, në këtë moment kam informacion se nga tetë deputetë të grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, gjashtë deputetë e mbështesin rreptësisht dhe drejtpërdrejt këtë koalicion qeverisës”, thotë Mitreski në intervistë për MIA-në.

Dy ministrat, të cilët pas përçarjes në Aleancë qëndruan pas kreut të partisë Arben Taravari, u shkarkuan me shumicë prej 62 votash pro – një më shumë se minimumi 61 votash që nevojiteshin për t’i larguar nga postet e tyre dhe për të zgjedhur ministrat e rinj.

Ministrat e rinj të shëndetësisë dhe shoqërisë informatike, Ilir Demiri dhe Naim Bajrami, të cilët janë gjithashtu nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, janë zgjedhur dje në Kuvend me 63 vota “pro”.

Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi i cili nga foltorja e kuvendit duke e sqaruar propozimin për shkarkimin tha se sipas ligjit, nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të Qeverisë dhe se ky është shkaku kryesor pse është propozuar shkarkimi i dy ministrave.

“Aspak nuk bëhet fjalë për profesionalizimin e tyre për të cilin kam respekt të jashtëzakonshëm”, tha Xhaferi.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodhi pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.