Marie Lasgush Poradeci: “Kur të vdesë Lasgushi nuk do t’ia bëjnë varrin, por mbas 50-vjetësh do t’ia ngrenë lapidarin”

Është e bija e Llazar Gushos, ose siç e njohim ndryshe Lasgush Poradecit, poetit të parë modern shqiptar,  lirikut më të madh të shek. XX, e siç thotë e bija “e personalitetit që qëndron këmbëkryq në kulturën shqiptare”. Marie Poradeci rrëfen për Portalb.mk disa detaje nga jeta e babait.

Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit
Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit

Ajo gjithmonë e kujton me një lidhje të veçantë shpirtërore, siç vajzat i kanë me baballarët, në një dedikim ajo shkruan ‘’ I bukuri  dhe madhështori im, të perceptoj gjithmonë përmes  dridhjes së poezisë tënde, e cila vjen nga diku përtej këtij planeti tokë të lodhur, të mërzitur dhe të trishtuar. Zhytem në këtë poezi e kënduar nga një tokësor special si ti. Ajo është balsam. sepse pastron shpirtin tim dhe të kujtdo që e lexon, duke larguar ngurtësinë armiqësinë dhe revoltën. Ti nuk ke nevoje për çmime, dekorata, botime “madhështore” me shtatë vëllime që paguhen me lekët e shqiptarëve të shkretë e budallallëqe të tjera si këto që ju takojnë njerëzve cinikë material. Ti rron ne zemrat e lexuesve të tu që të duan sinqerisht dhe përgjithmonë.’’ Dhe me të drejtë, Lasgushi ka fituar zemrën e të gjithë atyre që kanë rënë në kontakt me lirikat e tij të kulluara.

Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit
Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit

 Ç’ lloj fati është të qenit vajza e vogël e një babai ” pa të tashme” ( heshtja që ia bëri regjimi) por me një të ardhme të përjetshme?

Marie Lasgush Poradeci: Ne nuk i zgjedhim prindërit. Detyra jonë është t’i duam dhe t’i adhurojmë deri në fund të jetës. Jetesa me babin tim ka qenë shumë e vështirë sepse nuk ishte jeta që na takonte të bënim. Im atë nuk u botua asnjëherë dhe ti e di se çdo artist jeton me të “Drejtën e autorit”.

“E ardhmja e përjetshme” nuk ka ardhur akoma dhe ne dy motrat ndoshta nuk do kemi fatin për ta “takuar”. Im atë thoshte: “Kur të vdes Lasgushi nuk do t’ia bëjnë varrin por mbas 50-vjetësh do t’ia ngrenë lapidarin” në sensin që “Koha e përjetshme e tij do akoma kohë për të ardhur. Ai ka 35 vjet që ka fluturuar tek Zoti.

Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit
Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit

Te “Lasgushi më ka thënë “përmend” lodhjen mendore”, simptomat e të cilave sot bota i njeh si sulme paniku, ankth, frikë për të ardhmen. Përveç se të shkruaj elozhe për sistemin cilat kanë qenë frikërat tjera që ia keni nuhatur?

Marie Lasgush Poradeci: Ai e dinte që e ardhmja ishte e tij. Mendoj se frikërat e tij ishin pikërisht dy vajzat e tij. Sepse ai e dinte që edhe ato mbanin peshën e kryqit të tij. Për një prind kjo është e tmerrshme.

“Vajzat e sigurimit” ç ‘dëshironin në shtëpinë tuaj? Ç’ thoshte për to Lasgushi?

Marie Lasgush Poradeci: Ato donin të hynin tek arkiva e tij dhe njëra e arriti. Sepse sigurimi i shtetit donte të dinte çfarë kishte në arkiv ky njeri misterioz. Po ata njerëz injorantë, pa kulturë nuk mund të kuptonin madhështinë e tij. Madje as ajo që hyri (dhe vodhi materiale) nuk ishte aq e zgjuar sa të kuptonte diçka. Babi nuk thoshte asgjë për ato ndonëse e kuptonte qëllimin e tyre. Po ajo arkiva (të cilën ne mbas vdekjes së babit e dorëzuam në arkivin e shtetit), kishte vetëm kulturë dhe atdhedashuri.

Nga shkrimet duket njeri me shumë optimizëm ? E keni ndier melankolinë e tij?

Marie Lasgush Poradeci: Lasgushi thoshte që jeta duhet marrë me ataraksi. Ataraksia është shpikur nga fikozofi Sektus Empirukus dhe na mëson që gjërat as mos t’i absolutizojmë as mos t’i nënvleftësojmë. Por në fakt ai brenda shpirtit të tij tronditej mjaft, por nuk e jepte veten.

Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit
Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit

 Thoshte se ju do krenoheni një ditë me të? Nga këndi i fëmijës me dëshira shumë si duket kjo fjali?

Marie Lasgush Poradeci: Sigurisht që duket bukur. Dhe ne fakt tani e kemi ndjerë qe kur të gjithëve ju kanë dalë horrllëqet që kanë bërë në atë kohë, ai ndrin si qelibar.

 Si e ironizonte sistemin ?

Marie Lasgush Poradeci: Vetë mençuria është ironike. Me fjalët më të thjeshta ai thoshte mendimet më madhështore.

Nga vizitat që kishte në shtëpi, cilat kanë qenë më të pakuptimtat për ju?

Marie Lasgush Poradeci:  Ne ishim në shtëpi shumë mikpritës por nuk është se ne na vizitonin shumë njerëz. Sidomos shokët e babit, ata të rinisë, e lanë të gjithë. Kjo gjë i dhimbtte shumë. Por ngushëllohej me mamin, dhe ne dy vajzat e tij që ishim gjëja më shtrenjtë për të. Na thoshte shpesh se duhej të ishim vigjilente për çdo njeri të huaj që na vizitonte sepse “Kur ke futur njeriun e huaj në shtëpi ke futur edhe spiunin edhe hajdutin”.

Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit
Fotografi e marrë nga profili në Facebook i Marie Lasgush Poradecit

Si shkruante ? Në ç’ lloj rrethanash?

Marie Lasgush Poradeci:  Babi zakonisht punonte natën, sepse ishte qetësi. Të gjithë flinin. Punonte i shtrirë në shtrat sepse vuante nga shtylla kurrizore dhe kështu e kishin këshilluar mjekët.

Çka harrojnë shpesh studiuesit e letërsisë për Lasgushin?

Marie Lasgush Poradeci:  Që Lasgushi ishte një përjetësi e gjallë jetësore dhe kishte zbritur në tokë, pikërisht për të rindërtuar qiellin e trazuar shqiptar.