Miqësia, përplasja dhe ideali kombëtar i prometejëve

Dy shqiptarët eruditë e poliglotë Faik Konica dhe Fan Stilian Noli e sprovuan veten në shumë fusha të dijes dhe të jetës kulturore e shoqërore. Ata qenë personalitete enciklopedike – veprimtarë të çështjes kombëtare dhe njohës të mëdhenj të letërsisë, të arteve, të historisë dhe të politikës.

Që të dy u bënë të famshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe lanë pas vetes një sërë veprash të nduarnduarshme, që vazhdojnë të jenë të freskëta edhe për publikun e sotëm lexues.

Konica deshi ta lërojë shkëmbin…, kurse Noli qe i bindur se lirinë e sjell drita e mëndjes, jo druri… Ata jetuan në një kohë kur burrështetasit shisnin çifliqet për ta bërë Shqipërinë shtet, pa u vajtur mendja se do të vijë dita kur parësia e korruptuar do të shesë copa Atdheu për çifliqe personale.

Konica dhe Noli, një kohë të gjatë ishin miq dhe një kohë të gjatë armiq me ide dhe koncepte që lidheshin me mënyrën e ndërtimit të shtetit shqiptar, forcimin e kombit dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Noli synonte ta arrijë atë me udhë violente, kurse Konica ishte kategorikisht kundër revolucioneve, që, siç dihet: në fund hanë fëmijët e vet.

Për shkak të qëndrimeve të ndryshme, dy liberatorët bënë polemika të ashpra në mediat e kohës, por nuk e ushqyen urrejtjen ndërmjet tyre, sepse i takonin të njëjtit univers, sepse e kuptonin mirë gjuhën dhe shpirtin e njëri-tjetrit.

Megjithatë, përveç “fajeve” me të cilat u justifikua ekskomunikimi gjysëmshekullor i Konicës nga kultura shqiptare gjatë diktaturës moniste, atij iu ngarkua edhe mëkati për ftohjen e miqësisë me shokun e idealit – Fan Nolin.

Të shpalojmë pak të dhënat që na jep Konica për ta kuptuar se raportet e tyre nisën të prishen në vitin 1922, kur Noli, braktisi programin dhe shokët e VATRËS që kishin arritur pajtimin se: Shqipëria s’munt të qëndrojë më këmbë pa një diktator dhe që Zogu duket njeriu i duhur për këtë rol, sepse, gjthnjë sipas Konicës: përveç zotësisë, kish dhe katër të mira që i mungonin Esadit: kuptimin e ndodhjes së re në Shqipëri pas ndarjes nga Turqia, ndjenjën e kombësisë, të mos bërit ndryshime në mes Toskësh e Gegësh, dhe më në funt dëshirën për të parë Shqipërinë në shkallë Shteti t’organizuar.

Konica duket i sinqertë kur, në tri pika, e sqaron me detaje punën e ndarjes nga Noli:

  • Noli, unë, me Vatrën dhe me shokët, që më 1914 gjer më 1922, kush më shumë e kush më pakë, kemi mprojtur mendimin se Shqipëria, që të shtrohet, që të stabilizohet, e të hyjë në udhën e reformave e të qytetërimit, ka nevojë për një dorë të hekurt dhe se ajo dorë është Ahmed Zogu.
  • Fan Noli, nënë influencën e Gurakuqit, dhe më vonë nën influencën e frymës bolshevike, u-bind dhe na bindi se Shqipëria mund të qëndrojë më këmbë pa Zogun dhe kundër Zogut. Ngjarjet i dhanë përgënjeshtrimin më të plotë, dhe Shqipëria u gjend një qime afër varrit.
  • Unë me shumicën e shokëve u-kthyem ahere (ndonëse me çape të ngadalshme, se na vinte keq të çkëputeshim fare nga Fan Noli) te programi i vjetër i përmbledhur më sipër nënë numrin 1, kurse Fan Noli u-fut thellë në rebelione kundrë Shtetit e n’intriga revolucionare.

Siç dihet, Konica u druajt tërë jetës nga shtrirja e sllavëve në territoret shqiptare dhe çdo gjë që vinte nga Rusia e shihte me dyshimet që koha i vërtetoi si të sakta. Noli, ndërkaq, vazhdonte simpatinë për bolshevizmën, sepse e konceptonte atë si udhën e shpëtimit të kombit.

Më tej Konica shkroi se Noli dhe shokët e tij ndihmohen nga rogat bolshevike të lidhura me Rusinë, madje përmend shifra konkrete. Shkroi edhe për kërkesën e guvernës ruse  për dërgimin e 10 djemve që do të ndiqnin shkollën e veçantë të Moskës që formojnë agjentët e bolshevizmës. Sipas Konicës: Planet e rusëve për në Ballkan duket të jenë këto: të formuarit e një grupi bolshevik në çdo Shtet, dhe me anë të këtij grupi të kundërshtuarit e çdo guverne të sotme dhe të diskredituarit e çdo njeriu që ka pak’ a shumë influencë mi popullin dhe që e përdor atë influencë për të mbrojtur kanunin, regullën dhe qetësinë… Sa për gjakun që do të derdhet, çurkë dhe më kot, aq’ u bën rusëve…

Sa për të kuptuar kulturën politike dhe largpamësinë e Faikut dhe për të demantuar tahufët që e akuzojnë Atë si diletant në fushën e politikës…, po sjellim një paragraf përplot fakte të dëshmuara më pas nga koha: Propaganda bolshevike ësht’ e rezikshme, se turmës së padjallëzuar, e cila nuk thellon, bolshevisma i duket si zgjidhja e gjithë mundimeve ekonomike që heq. Kujton se bolshevizma ësht’ ilaçi i panjohur dhë i çuditshëm që ka për të shëruar çdo sëmundje. Të zgjuarit nga ky gjumë budallenjsh do të jetë shumë i hidhur për Shqipëtarët, të cilët do të bëhen skllev pa atdhe dhe pa bukë, të shkelmuar e të shkelur nga të huajt…

Kuptohet, ky fakt nuk mund të hedh dyshim në figurën e Nolit, sepse ai, si gjithë atdhetarët e tjerë të kohës, kërkonte udhët më të sigurta dhe më të besueshme për formimin e njësisë së kombit unik dhe shtetit stabil shqiptar. Fundja, ai përakrahu në zanafillën e saj një ide të shtrirë më pas në nivel planetar dhe të dështuar po në këtë nivel.

Nga e sipërthëna mund të kuptohet se në raportet përkohësisht të prishura mes Konicës e Nolit nuk duhet kërkuar mëkate të pafalshme. Absurdin e tendencave të tilla denigruese ndaj Konicës, tek i cili, për paradoks, vazhdon të kërkohet fajtori për gjithçka që ka ndodhur një herë e një kohë, më së miri e zbërthen vetë Noli në fjalën funerale të mbajtur mbi varrin e mikut të tij – Faik Konicës, ku, mes tjerash, kërkoi që gjërat e papëlqyeshme të konsiderohen:  të shkuara e të harruara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.