Ministria njoftoi që sot janë paguar bursat për nxënësit dhe studentët në Maqedoninë e Veriut

Nxënësit dhe studentët që janë përfitues të rinj të bursave në Maqedoninë e Veriut, pritet që gjatë javës të marrin mjetet që ju takojnë nga bursat, derisa pagesa për bursistët aktual janë realizuar sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, transmeton Portalb.mk.

“Të gjitha pagesat e bursave  për nxënës dhe studentë përfitues aktual  për vitin shkollor gjegjësisht vitin akademik 2023-2024 janë paguar përfundimisht me muajin janar. Ndërsa për përfituesit e  rinj,  pagesa do të realizohet  gjatë javës. Të rinjtë duhet të jenë të sigurt, të gjitha mjetet që u takojnë  do t`u paguhen plotësisht”, njoftoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Ministria vlerësoi që kjo Qeveri është e angazhuar për nxënësit dhe studentët, duke paralajmëruar edhe investime në konviktet studentore. Ata theksojnë që do të vazhdojnë bashkëpunimin me përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve.

“Së shpejti do të fillojë edhe  rikonstruksioni i konvikteve shtetërore të studentëve. Është firmosur marrëveshje për realizimin e punimeve ndërtimore dhe aktivitetet përgatitore të cilat janë duke u zhvilluar. Gjithashtu këtë vit janë paraparë aktivitete rikonstruktive në konviktet e nxënësve”, njoftoi Ministria.

Edhe pse u ishte premtuar se, mbështetja financiare për transportin ndërurban për studentët për muajin janar do të paguhet më së voni deri më 02 shkurt të këtij viti, studentët ende nuk kanë marrë mjetet e premtuara. Kjo ishte edhe një nga arsyet e protestës që u mbajt të hënën.

Studentët këtë përkrahje prej 1200 denarë e marrin nga dhjetori dhe duhet t’u paguhet në baza mujore deri në qershor. Po ashtu, studentët nuk kanë marrë asnjë këst të bursave për vitin aktual shkollor, edhe studentët që janë përfitues ekzistues ose të rinj të bursave studentore janë planifikuar të marrin bursë gjatë nëntë muajve, pra nga tetori deri në qershor.  Bursat, janë 6.050 denarë, me përjashtim të bursave për programet studimore në kimi, fizikë dhe matematikë, si dhe ato për shkencat bujqësore, veterinare dhe pyjore, të cilat janë 18.000 denarë në muaj.