Ministri kosovar i Mbrojtjes, Maqedonci: FSK e gatshme për çdo kërcënim që paraqitet për vendin

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me vendosjen e shumë njësive ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, thotë se “ne jemi gjithmonë të gatshëm, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në venidn tonë”.

Në një intervistë të dhënë për Anadolu, Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci.

Sipas ministrit kosovar, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

“Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, theksoi ai.

– Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO

Ministri Maqedonci tha se janë në fazën e dytë të realizimit të planit për transformimin e FSK-së në ushtri, me fokus në rritjen e kapaciteteve këmbësorike dhe luftarake për mbrojtjen e rajonit dhe se do të kalojnë në fazën e tretë dhe të fundit në vitin 2025 dhe në këtë kontekst, do të fokusohen në ndërtimin e kapaciteteve të artilerisë, mbrojtjes ajrore, si dhe kapaciteteve mbështetëse luftarake, deri në vitin 2028.

Duke theksuar se aktualisht FSK-ja ka personel me rreth 4 mijë pjesëtarë, Maqedonci tha se në mesin e tyre janë 55 pjesëtarë turq të Kosovës.

Ai tha se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të sigurisë kombëtare të Kosovës, shtuar thënë se kanë krijuar kapacitete mbrojtëse në përputhje me doktrinën e NATO-s dhe se të gjitha pajisjet dhe sistemet e armatimit i kanë blerë sipas standardeve të NATO-s.

“Blerjet e armatimit janë të drejtuara në vendet e NATO-s, ne nuk blejmë nga asnjë vend që nuk është pjesë e NATO-s. Kryesisht jemi fokusuar të bëjmë blerje nga vendet me të cilat kemi partneritet më të afërt, si SHBA, Türkiye, Gjermania dhe vende të tjera”, theksoi ministri, duke nënvizuar se nga viti 2021 deri në vitin 2023 kanë ndarë mbi 200 milionë euro për blerjen e armëve dhe pajisjeve të ndryshme në kuadër të transformimit të FSK-së në ushtri.