Ministrat e BE për ndërprerje të “menjëhershme” të luftimeve
BE insiston për ndërprerje humanitare të luftimeve nëLindjen e Mesme. “Në sfondin e gjendjes humanitare duhet patjetër një ndërprerje e luftimeve, madje kjo menjëherë”, tha i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme Josep Borrell në përfundim të takimit të 27 ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel. Për deklaratën e nxjerrë pas takimit përfaqësuesit e shteteve të BE-së kishin rënë dakord qysh një ditë më parë. E reja në kërkesën e tyre është, se ndërprerja e luftimeve duhet të bëhet “menjëherë”. Eshtë e nevojshme të krijohen korridore humanitare, në mënyrë që ndihmat të mbërrijnë në Gazë, transmeton DW.
Borrell deklaroi gjithashtu, se do të shkojë ditët e ardhshme në Lindjen e Mesme. Brenda javës ai planifikon të shkojë në Izrael dhe në territoret palestineze si dhe në Bahrain, Arabinë Saudite dhe në Jordani, tha Borrell. Ai do të bisedojë “me politikanët drejtues në rajon për ndihmat humanitare dhe çështjet politike”.
Në takimin e këshillit për politikën e jashtme ishte i pranishëm edhe komisari përgjegjës Janez Lenarcic. Sipas të dhënave të tij në Gazë nuk ka më furnizim me ujë, ushqime dhe medikamente.
Kryediplomati i BE-së për një zgjidhje me dy shtete
BE insiston për hapjen e korridoreve humanitare, në mënyrë që të mbërrijnë ndihmat në Rripin e Gazës. 40 kamionë kalojnë ndërkohë çdo ditë pikën kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit. Por kjo është shumë pak, theksoi Borrell. Përpara luftës kalonin 500 kamionë në ditë. Tani po mendohet që ndihmat të transportohen nga deti.
Duhet t’i jepet fund konflitkit dhe të fokusohemi tek një perspektivë afatgjatë, tha kryediplomati i BE-së. “Kjo zgjidhje mund të jetë vetëm krijimi i dy shteteve”.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian (BE) ka përgatitur një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të përafruar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato evropiane.
Komisioni Evropian njoftoi propozimin e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka për qëllimin stimulimin e rritjes ekonomike dhe të përshpejtojë përafrimin socio-ekonomik.
Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.
Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.
Me këtë burim, do të synohet përputhshmëria e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm dhe rritja e integrimit ekonomik.
Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.
Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Në mënyrë që propozimi në fjalë të hyjë në fuqi, është e nevojshme që kjo të miratohet nga Parlamenti Evropian (PE) dhe vendet anëtare.
Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.