Mickoski: Rezultatet e analizave të ujit në Gostivar janë të mira, deri nesër pritet të shpallet teknikisht i sigurt për përdorim

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se rezultatet më të fundit të analizave të ujit në Gostivar janë të mira dhe shprehu pritjen që, më së voni deri nesër, institucionet kompetente të njoftojnë se uji është teknikisht i sigurt për përdorim, transmeton Portalb.mk.

Ai theksoi se Prokuroria tashmë ka identifikuar përgjegjësinë për ndotjen e sistemit të furnizimit me ujë, por hetimet do të vazhdojnë nëse lind nevoja për të përcaktuar përgjegjësi shtesë.

“Përgjegjësia e plotë për atë që ka ndodhur, për momentin, është identifikuar. Më tej do të vazhdohet me përcaktimin e përgjegjësive të tjera nëse është e nevojshme. Ne menjëherë siguruam ujë të pijshëm. Falënderoj të gjithë ata që u bashkuan me donacione dhe në këtë mënyrë e bënë jetën e qytetarëve të Gostivarit më të sigurt. Ekipe nga Shkupi ndodhen në Gostivar dhe po punojnë në hiperklorimin e instalimeve. Rezultatet tashmë janë të mira. Pres që sot, ose të jemi konservatorë e të themi nesër, të dalë njoftimi se uji është teknikisht i sigurt për përdorim. Brenda një jave gjithçka u sanua”, deklaroi Mickoski.

Kujtojmë se, në Gostivar është shpallur epidemi për shkak të numrit të madh të rasteve të prekura nga uji i ndotur, ndërsa Qeveria ka shpallur edhe gjendje krize 30-ditore për të përballuar situatën në Gostivar.P ubliku u informua për rastin pasi një numër i madh banorësh të Gostivarit kërkuan ndihmë mjekësore.

Për rastin në Gostivar po zhvillohet edhe një hetim penal. Autoritetet dyshojnë se ishin vendosur pompa përmes të cilave ujëra të ndotura hynin në tubacionin kryesor të ujësjellësit, me gjasë për të rritur presionin e ujit.

Me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.

Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.