Mickoski njoftoi ndërtimin e një binar të ri në Korridorin 10 përmes marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar
Kryeministri Hristijan Mickoski sot, gjatë një vizite në qendrën e trajnimit në Idrizovë, njoftoi ndërtimin e binari tjetër në linjën hekurudhore të Korridorit 10, si pjesë e një pakete projektesh, të cilat, siç njoftoi ai, do të realizohen përmes një partneriteti të ri strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, transmeton Portalb.mk.
“I pari është rikonstruksioni, modernizimi dhe ndërtimi i një binari shtesë të hekurudhës që është pjesë e Korridorit 10, në segmentin nga Tabanoci deri në Gjevgjeli”, tha Mickoski.
Vetëm pesë ditë më parë, kryeministri Mickoski njoftoi rindërtimin e të gjithë trasesë së Korridorit 10, por jo ndërtimin e një binar të ri. Mickoski tha se trenat e pasagjerëve në Maqedoni do të lëviznin me shpejtësi prej 160 kilometrash në orë, ndërsa trenat e mallrave me një mesatare prej 110 kilometrash në orë.
Sot, kryeministri njoftoi edhe një grup të ri projektesh në sektorin e kujdesit shëndetësor – finalizimin e Qendrës Klinike në Shtip së bashku me Fakultetin e Mjekësisë dhe një konvikt studentor me kapacitet prej 200 shtretërish, përfundimin e objektit shëndetësor në Kërçovë, si dhe rindërtimin e Spitalit Klinik në Tetovë. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e ndërtimit të një Qendre të re Klinike në Shkup.
“Është e mundur që, në një të ardhme të afërt, nëse gjithçka funksionon ashtu siç presim, të ndërtohet edhe Qendra e Madhe Klinike në Shkup. Kështu që, përfitimet do të shumëfishohen dhe unë jam i bindur se si shtet jemi në prag të një periudhe transformuese”, tha ai.
Kryeministri e vlerësoi marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar si “historike” dhe me rëndësi kyçe strategjike dhe ekonomike për vendin.
“Sa më shumë marrëveshje strategjike dhe partneritete të tilla që kemi me faktorë të mëdhenj dhe të rëndësishëm botërorë, siç është Mbretëria e Bashkuar, aq më afatgjatë do të jetë stabiliteti dhe perspektiva e Maqedonisë si shtet”, tha ai, duke njoftuar se tashmë ekziston një kornizë për projekte me vlerë gjashtë miliardë euro.
Në periudhën e ardhshme, është paralajmëruar edhe një vizitë zyrtare në Londër, ku pritet nënshkrimi i marrëveshjeve midis dy qeverive.
Kryeministri Mickoski pothuajse çdo ditë i shpall në media elementët e përgjithshëm të marrëveshjes strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, por detajet e marrëveshjes janë të panjohura për publikun. Për shembull, afatet specifike, financimi dhe fizibiliteti i njoftimeve të tilla nuk dihen. Nuk është e qartë nëse fondet do të jenë në formën e një kredie, nëse do të përfshijnë investime nga kompani të huaja apo diçka tjetër.
Për më tepër, konteksti i zhvillimit të hekurudhave në vend tregon plane afatgjata për modernizim dhe lidhje me rrjetet evropiane të transportit. Hekurudha është temë bisede për politikanët në çdo cikël zgjedhor. Fatkeqësisht, deri më tani është bërë shumë pak, veçanërisht në lidhje me Korridorin 8, Lindje-Perëndim.