Mickoski nga Pelinca foli për “tradhti” dhe “fundërrina” dhe më pas bëri thirrje për bashkim

Në fjalimin e tij të Ilindenit, Kryeministri i lidhi mesazhet historike të lirisë dhe shtetësisë me një sulm të ashpër ndaj ish-qeverisë. Pasi sulmoi opozitën për tradhti dhe funëdrrinat e shoqërisë, ai bëri thirrje për unitet. Lideri i opozitës, Filipçe, tha nga Krusheva se kujtimi i Ilindenit ka vlerë vetëm nëse ndërtohet një e ardhme më e mirë, shkruan Portalb.mk.

Nga nderimi i dy Ilindenëve, përmes kualifikimeve të ashpra për kundërshtarët politikë, deri te një thirrje për bashkim, ky ishte drejtimi që mori fjalimi i kryeministrit Hristijan Mickoski sot nga Qendra Memoriale e KAÇKM-së në Pelincë

Gjatë pjesës më të madhe të fjalimit të tij me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, Mickoski foli për Kryengritjen e Ilindenit dhe Kuvendin e parë të KAÇKM-së si dy pjesë të një tërësie të vetme historike, por më pas kaloi te ndarjet aktuale politike dhe përballja me opozitën. 

Ai e përshkroi Ilindenin jo vetëm si një datë, por si një testament dhe karakter të një populli që “mund të pushtohet, sulmohet, tradhtohet dhe nënvlerësohet, por jo të nënshtrohet”. 

Sipas Mickoskit, Republika e Krushevës dhe KAÇKM-ja përfaqësojnë dy faqe të të njëjtit libër. Në Krushevë, siç tha ai, lindi ideja se liria vlen më shumë se jeta, ndërsa në KAÇKM ajo ide mori një formë shtetformuese. 

Në pjesën historike të fjalimit, kKryeministri veçoi Presidentin e Republikës së Krushevës, Nikolla Karevin dhe Presidentin e parë të Presidiumit të KAÇKM-së, Metodija Andonov-Çento. Ai iu referua gjithashtu Deklaratës së të Drejtave Themelore të Qytetarëve, e cila vendosi lirinë e fjalës dhe të fesë, të drejtën e kombësisë, lëvizjes dhe pronës private, si dhe të drejtën e grave për të votuar. 

Mickoski theksoi se antifashizmi ishte bërë një angazhim i përhershëm i shtetësisë së Maqedonisë. Në të njëjtën kohë, ai pohoi se lëvizja çlirimtare e popullit të Maqedonisë dhe partizanët e Maqedonisë e çliruan vendin me forcat e tyre dhe në këtë mënyrë konfirmuan karakterin e pavarur të shtetësisë së Maqedonisë. 

Nga shqyrtimi historik, Mickoski kaloi te detyra e brezit të tanishëm, i cili, sipas tij, duhet ta ruajë shtetin, ta bëjë atë të begatë dhe të drejtë dhe të krijojë kushte në të cilat njerëzit do të duan të qëndrojnë, të punojnë dhe të krijojnë familje. 

E kaluara, tha ai, nuk duhet të jetë strehë, por themel për të ardhmen. Ai vlerësoi se Maqedonia e sotme nuk është shteti që ëndërronin populli i Ilindenit dhe KAÇKM-së, por shtoi se Qeveria po e rikthen gradualisht besimin se vendi mund të ketë sukses. 

Pikërisht në këtë pjesë, fjalimi mori një ton të theksuar partiak. Pa e përmendur drejtpërdrejt LSDM-në, kryeministri foli për elitat politike që më parë ishin në pushtet, dhe sot, sipas tij, janë thellësisht në opozitë, të ndara për shkak të interesave personale dhe të distancuara nga funksionet që u mundësonin një jetë të rehatshme. 

Mickoski tha se ata i ruajtën funksionet e tyre jo me mbështetjen e qytetarëve, por përmes “tradhtive dhe lëshimeve”. Pasojat e këtyre vendimeve, sipas tij, ende ndihen nga shteti dhe qytetarët. 

Në vend të një gare idesh dhe konceptesh politike, kryeministri vlerësoi se kundërshtarët e tij po krijojnë një atmosferë nihilizmi, urrejtjeje dhe disfatizmi dhe se ata shikojnë me mosbesim çdo sukses shtetëror dhe gëzohen për vështirësitë dhe dështimet. 

Duke folur për çështjet që bllokojnë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, Mickoski tha se nuk do të bëjë lëshime në dëm të shtetit dhe popullit, duke iu referuar ndryshimit të Kushtetutës dhe shtimit të bullgarëve në preambulë si parakusht për vazhdimin e procesit të eurointegrimit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos i besojnë, siç tha ai, “fundërrinat e dështimeve, cinizmit dhe urrejtjes ndaj gjithçkaje që është e suksesshme”. 

Pas kualifikimeve të tilla, në përfundim të fjalimit të tij, Mickoski u kthye te mesazhet e unitetit. Ai bëri thirrje për kapërcimin e përçarjeve dhe ruajtjen e shpirtit të shoqërisë, besimit në institucione dhe dinjitetit të njeriut të ndershëm. Si një detyrë e përbashkët, ai theksoi gjithashtu nevojën që shpresa të bëhet përsëri një forcë lëvizëse në shtet.

Festën e dy gushtit, ditën e Republikës, e uruan edhe liderët tjerë politik në vend.