Mickoski: Nëse Marrëveshja e Prespës ishte “kryevepër” e diplomacisë evropiane, pse të mos e përsërisim për kontestin artificial me Bullgarinë
Nëse Marrëveshja e Prespës ishte një “kryevepër” e diplomacisë evropiane, diçka që le të themi “brilante”, pse të mos e përsërisim këtë “kryevepër” për t’i gjetur një zgjidhje përfundimtare, të përhershme dhe të qëndrueshme kësaj mosmarrëveshje artificiale. Kjo ishte pjesë e fjalimit të kryeministrit Hristian Mickoski në Samitin e 20-të Evropian në Salzburg në kuadër të mosmarrëveshjes me Bullgarinë fqinje, transmeton Portalb.mk.
Të jesh konstruktiv, tha kryeministri në këtë kontekst, do të thotë të japësh vazhdimisht zgjidhje.
“Propozimi ynë përfundimtar është diçka që mund të duket konstruktive dhe e pranueshme për të gjithë. Unë gjithmonë përpiqem të flas një gjuhë të caktuar që mund të kuptohet në veri të Vjenës, mos më keqkuptoni. Që do të thotë se nëse Marrëveshja e Prespës ishte një ‘kryevepër’ e diplomacisë evropiane, diçka që le të themi ‘brilante’, atëherë pse të mos e përsërisni këtë ‘kryevepër’ për të gjetur një zgjidhje përfundimtare, të përhershme dhe të qëndrueshme që do t’i jepte zgjidhje këtë kontest artificial”, tha Mickoski në fjalimin e tij.
Ai theksoi se Bullgaria deri më tani nuk i është bindur 14 vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për regjistrimin e një shoqate të maqedonasve që jetojnë në ato zona, ndërsa kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, gjë që, tha ai, tregon mungesë vullneti për t’i afruar gjërat.
Edhe nëse bullgarët përfshihen në Kushtetutë, shtoi Mickoski, askush nuk garanton se ky është kushti i fundit për përmbushjen e një detyrimi dhe se gjashtë muaj nga tani nuk do të kërkohet asgjë shtesë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje janë përkeqësuar, pasi pas vizitës së fundit të presidentes maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje, ajo është fotografuar së bashku me kolegun e saj bullgar Rumen Radev pa flamurin maqedonas, por vetëm pranë flamurit të BE-së dhe Bullgarisë.
Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.