Dy të rritur dhe tre fëmijë u vranë në një shtëpi në Seattle të SHBA-së, i dyshuari është një 15-vjeçar

Pesë persona u vranë në një shtëpi në Seattle, ndërsa për vrasjen dyshohet një djalë 15-vjeçar, njoftuan sot autoritetet e shtetit amerikan të Uashingtonit.

Dy nga të vrarët janë të rritur dhe tre të tjerët janë fëmijë. Një vajzë u plagos nga të shtënat, raporton Reuters duke cituar një deklaratë të policisë.

Zëdhënësi i Departamentit të Sherifit, Mike Mellis, u tha gazetarëve në vendngjarje se i dyshuari u arrestua pa shkaktuar asnjë problem.

Për momentin nuk dihet nëse të gjithë të vrarët dhe të plagosurit janë anëtarë të së njëjtës familje, ndërsa sherifi thotë se po punohet për të përcaktuar motivin e dhunës.

Policia mori telefonata të shumta në lidhje me të shtënat në një shtëpi në Fall City, rreth 10 milje në lindje të Seattle.

Para se mjekët të mbërrinin në vendin e krimit, të lënduarve iu dha ndihma e parë nga një fqinj i cili kishte disa trajnime mjekësore.

I dyshuari 15-vjeçar është ndaluar në një qendër për të mitur dhe pritet të dalë sot ose nesër në gjykatë.