Mickoski: Komision anketues të shtrihet në zbardhjen pa improvizim të rasteve Laskarcë, Spitali Modular dhe të tjera

Nuk ka më vend për improvizim në rastet Laskarca, Besa Trans, Spitali Modular dhe tragjedia në Koçan, tha kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur nga një gazetar se a beson se gjyqtarët në Maqedoni janë të kualifikuar për të kryer hetim të pavarur për zjarrin në Koçan, transmeton Portalb.mk.

“Ka pasur ide për një komision anketues për rastin e Koçanit. Grupi ynë parlamentar propozoi që komisioni të shtrihet edhe në rastet e Laskarcës, Durmo Toursit, Besa Transit dhe Spitalit Modular. Nuk ka më vend për improvizim, të gjitha rastet duhen pastruar. Dhe sigurisht që publiku këtë ta monitorojë”, tha Mickoski.

Mickoski theksoi se në hetimin e tragjedisë në Koçan deri më tani janë në paraburgim 34 persona, ndërsa për rastet tjera të përmendura ai numër është zero dhe se për ta ka vendosur vetëm gjykata themelore.

“Kur flasim për përgjegjësi objektive, atëherë do të na duhen të gjitha rastet që u mbuluan shpejt në rastet me Laskarcën, Besa Trans. Për disa prej tyre ka vendosur vetëm gjykata themelore. Kjo rivendosje do të duhet të bëhet në të gjitha nivelet. Si është bërë tenderi dhe pse, kush ishte në krye, pse nuk u publikua. Ato raste kanë përfunduar me zero arrestime, ndërsa për rastin në Koçan deri më tani janë 34 të arrestuar dhe shumë persona të tjerë janë thirrur për intervistim”, tha Mickoski.

Kryeministri është pyetur edhe nëse ka hapësirë ​​në hetimin e Koçanit që politikanët aktualë të akuzohen apo disa nga ata politikanë të japin dorëheqje, për të cilën ka thënë se hetimet i udhëheq Prokuroria Publike dhe se e atje duhet të parashtrohet e njëjta pyetje.

“Nëse vlerësoni se duhet të jap dorëheqje për arsye morale, nuk kam problem ta bëj këtë”, shton Mickoski.

Kryeministri nuk ka dashur të komentojë ndryshimin e pozitës udhëheqëse pas zgjedhjeve partiake në LSDM-në opozitare, por shkurt ka thënë se e ka uruar Venko Filipçen dhe i ka uruar punë të suksesshme si kryetar i partisë.

Ai zbuloi se Filipçe ka shprehur dëshirën e tij për të bashkëpunuar në ndryshimet ligjore nga dy fusha në agjendën e reformave që është pjesë e Planit për rritje në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së.

“Pres emrat që duhet t’i paraqesë LSDM-ja për reformat në sundimin e ligjit dhe në energjetikë, në ata dy sektorë, shprehu dëshirën Filipçe që LSDM-ja me stafin e saj të marrë pjesë në formimin e zgjidhjeve ligjore. Është projekt i përbashkët, prandaj pres konstruktivitet nga të gjitha palët”, sqaroi Mickoski në konferencën tematike për media në Qeveri me rastin e Ditës Botërore të Shëndetësisë.

Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale në tetor, kryeministri tha se para zgjedhjeve nuk planifikohet rikonstruimi i Qeverisë dhe se marrëdhëniet me partnerin e koalicionit VLEN janë të shkëlqyera.