Mexhiti: Mbi 3.000 gra këtë vit ishin pjesë e skrining-mamografisë

Nga fillimi i vitit janë kryer më shumë se tre mijë kontrolle në kuadër të programit skrining për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, tha sot ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, i cili mori pjesë në një aktivitet në Parkun e Qytetit të organizuar nga Shoqata Ezra dhe në bashkëpunim me aleancën më të madhe evropiane të shoqatave të pacientëve, transmeton Portalb.mk.

“Duke qenë se zbulimi i hershëm është kyç në kancerin e gjirit, Ministria e Shëndetësisë, në drejtim të parandalimit, zbaton një program kombëtar skriningu për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Këtë vit, ai mbulon gratë e moshës 45 deri në 69 vjeç që nuk kanë bërë mamografi në dy vitet e fundit, si dhe gratë e moshës 40 deri në 44 vjeç që kanë një anëtar të familjes me kancer gjiri dhe ose një faktor tjetër rreziku”, tha Mexhiti.

Skrining-mamografia, kujtoi ai, është falas për femrat në program, përkatësisht pjesëmarrja mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Që nga fillimi i vitit në kuadër të këtij skriningu janë kryer më shumë se tre mijë kontrolle. Risi të rëndësishme kemi zbatuar edhe në protokollin e ekzaminimit të gjirit. Gratë me ndryshime referohen në një zyrë të posaçme të gjirit, ku radiologu jep rekomandimet e nevojshme shtesë për biopsi dhe ekzaminime të tjera”, tha ministri i Shëndetësisë.

Me këtë, sipas Mexhitit, lehtësohet dukshëm qasja e gruas në shërbimin e nevojshëm shëndetësor.

Ai apeloi për rëndësinë e kontrolleve parandaluese dhe kujdesit për shëndetin, duke pasur parasysh se zbulimi i hershëm mund të shpëtojë një jetë.

Kujtojmë se shkaku më i shpeshtë i vdekjeve nga neoplazmat malinje te femrat në periudhën 2010-2022 është neoplazma malinje e gjirit, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik (IShP). Sipas të dhënave të paraqitura sipas viteve, vihet re se si numri i rasteve të reja ashtu edhe numri i vdekjeve janë në rritje, në ndryshim nga vitet e mëparshme.

Kështu, në vitin 2010 kanë vdekur 310 gra nga neoplaplazmat malinje të gjirit, ndërsa në vitet në vijim mesatarja është rreth 280 gra në vit. Numri i vdekjeve u rrit në vitin 2016 – 338 vdekje, dhe vitin e kaluar ishte kulmi – 356 gra humbën betejën me kancerin e gjirit.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, edhe vdekshmëria nga kanceri i gjirit është dukshëm në rritje. Në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2022, shkalla e vdekshmërisë është rritur me 8.5 për qind.

Në vitin 2010 ka qenë 30 për qind, më pas ka pasur rënie të vdekshmërisë, kështu që në vitin 2016 ka shkuar në 32.7 për qind dhe më pas ka tendencë për rritje. Kulmi i shkallës së vdekshmërisë ishte vitin e kaluar dhe ishte 38.5 për qind.