Meta fakt: Qeveria premtoi, pastaj u bë pishman për prezantimin e një sistemi për njoftimin e hershëm për ndotjen e ajrit
Njoftimi se do të punohet për një projekt për paralajmërimin e rrezikut nga përqendrimet e larta të ndotjes së ajrit ishte pjesë e premtimeve parazgjedhore, ndërsa u bë pjesë e Programit të Punës për vitin 2021, si një nga pikat në pjesën për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Në Programin e Qeverisë për 2022-2024, ky premtim është fshirë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Një sistem me katër nivele të rrezikut për paralajmërim të hershëm të një parashikimi të favorshëm të motit për rritjen e ndotjes së ajrit, i cili do të jetë pjesë e sistemit ekzistues të paralajmërimit të hershëm në DPH, ishte një nga premtimet që ishte pjesë e Programit të Punës së qeverisë aktuale. Njoftimi se do të punohet për një projekt të tillë për të paralajmëruar rrezikun nga përqendrimet e larta të ndotjes së ajrit ishte pjesë e premtimeve parazgjedhore dhe u bë pjesë e Programit të Punës për vitin 2021, si një nga pikat në pjesën për mbrojtjet e mjedisit jetësor.
Por, në Programin e Qeverisë për vitin 2022-2024 ky premtim është fshirë.
Në Programin e punës së Qeverisë për vitin 2021 thuhet:
“Qeveria do të investojë në stacione matëse shtesë në të gjithë vendin dhe një aplikacion të posaçëm softuerik që do të mundësojë një pasqyrë më të lehtë dhe më transparente të gjendjes me grimcat PM, si sipas datës ashtu edhe sipas vendndodhjes, me pasqyrë dhe raportet e duhura. Në vitin 2021 do të prezantojmë një sistem me katër nivele të rrezikut për paralajmërim të hershëm të një parashikimi të favorshëm të motit për rritjen e ndotjes së ajrit, i cili do të jetë pjesë e sistemit ekzistues për paralajmërim të hershëm në DPH. Të dhënat për emetimet nga objektet e mëdha ndotëse do të jenë në dispozicion të qytetarëve në kohë reale, si dhe ato të Kadastrës së Mjedisit Jetësor, regjistrave të emetimit dhe transferimit të materieve ndotëse, regjistrave të lejeve ekologjike të lëshuara dhe raporteve të miratuara. Ne do të mbështesim nismat për vendosjen e stacioneve matëse, duke përshkruar kategori të ndryshme të instrumenteve matëse, sipas saktësisë së matjeve të tyre për të zbuluar burimet lokale dominuese të ndotjes së ajrit”.
Të gjitha premtimet e tjera nga kjo pikë, përveç prezantimit të sistemit në katër nivele për paralajmërimin e hershëm të ndotjes, janë pasqyruar edhe në programin aktual, i cili duhet të zbatohet deri në vitin e ardhshëm. Për momentin nuk dihen arsyet pse është hequr pikërisht sistemi për paralajmërimin e hershëm të ndotjes së ajrit, sepse Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve të parashtruara nga Meta.mk.
Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e cila është kompetente për të komunikuar me Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike dhe për të paralajmëruar për tejkalimin e pragut të përqendrimit maksimal të grimcave PM, thotë se nuk janë në dijeni të projektit konkret të planifikuar nga Qeveria. Nga aty theksojnë se tashmë ka bashkëpunim me DPH-në në lidhje me njoftimin për kushtet atmosferike që kontribuojnë në rritjen e ndotjes së ajrit.
“Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka informacion për prezantimin e katër niveleve të rrezikshmërisë për paralajmërimin e hershëm të një parashikimi të favorshëm të motit për shfaqjen e rritjes së ndotjes së ajrit si pjesë e sistemit ekzistues për paralajmërim të hershëm në DPH. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mund të japë një përgjigje për lidhshmërinë e të dhënave për parashikimin e motit nga DPH me ndotjen e ajrit ambiental në përputhje me legjislacionin kombëtar ekzistues që përcakton vlerat kufitare dhe e synuara, qëllimet afatgjata dhe pragjet për informimin dhe alarmimin për përqendrimet e substancave ndotëse në ajrin ambiental në Dekretin për vlerat kufitare për nivelet dhe llojet e substancave ndotëse në ajrin ambiental dhe pragjet e alarmimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Vlerat kufitare dhe të synuara të SO2, NO2, CO, PM10, PM2.5, O3, benzenit, PAH dhe metaleve të rënda tashmë janë të përcaktuara në legjislacion me qëllim mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Konkretisht për grimcat PM 10, pragu i informacionit është dy ditë rresht me një përqendrim mesatar ditor prej 100 mikrogramë për metër kub, ndërsa pragu i alarmimit është dy ditë rresht me një përqendrim mesatar ditor prej 150 mikrogramë për metër kub.
“Nëse këto vlera plotësohen me një parashikim të motit nga DPH për një gjendje të qëndrueshme moti për ditët në vijim, atëherë kufijtë konsiderohen të tejkaluar”, theksojnë nga ministria.
As Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike nuk ka informacion se si do duhej të jetë sistemi me katër nivele. Drejtori Ivica Todorovski thotë se ky institucion është hallka e parë në paralajmërimin e hershëm edhe kur bëhet fjalë për ndotjen e ajrit dhe fatkeqësitë e tjera natyrore të motit me informatat që ia dërgon Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Drejtorisë së Shpëtimit apo institucioneve të tjera kompetente.
Parashikimi i motit, thekson ai, është më i saktë deri në pesë ditë përpara dhe mund të tregojë për rritje të ndotjes nëse nuk priten aktivitete atmosferike si shiu, era apo bora.
“Me ndihmën e sistemeve të radarëve bëhen parashikimet e motit për paralajmërim të shpejtë në kuadër të sistemit për paralajmërim të hershëm. Të dhënat grumbullohen nga 65 stacione automatike në 19 qendra në mbarë vendin, që do të thotë se kemi një rrjet të dendur dhe një sasi të mjaftueshme të të dhënave për përpunim në bazë të të cilave bëhen parashikimet”, thotë Todorovski.
Prandaj mund të konstatojmë se ky premtim i Qeverisë nuk është realizuar dhe pa shpjegime është tërhequr.
BURIME:
- Qeveria e RMV-së, Programi për vitin 2021: Mbrojtja e mjedisit jetësor, vërtetuar më 25.04.2023;
- Qeveria e RMV-së: Programi për punën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut
për periudhën 2022–2024, vërtetuar më 25.04.2023; - Lokalno.mk (14.09.2020) – Коntrollimi dhe zvogëlimi i ndotjes mbetet një nga synimet kryesore të Qeverisë, vërtetuar më 25.04.2023;
- Nezavisen,mk (14.09.2020) – Еkologjia një nga prioritetet – kontroll i përforcuar, pastrim i pikave të nxehta industriale dhe dënime për ndotësit, vërtetuar më 25.04.2023.