RMV, janë arrestuar tre persona, ndiqen penalisht për “shërbim në ushtri armike”

Në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit, Ministria e Brendshme, gjegjësisht Byroja e Sigurisë Publike – Departamenti për shtypjen e krimit të organizuar dhe serioz – Sektori për luftimin e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në një aksion të koordinuar me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Republikën e Francës, e cila ka vepruar sipas urdhëresës ndërkombëtare të lëshuar nga vendi ynë, ka realizuar një rast, në të cilin u është hequr liria tre shtetas të Maqedonisë, të cilët gjatë vitit 2014 në territorin e Sirisë iu bashkuan formacioneve të armatosura të organizatës terroriste Shteti Islamik ISIS dhe si ushtar morën pjesë aktivisht në aksionet ushtarake, njofton MPB, transmeton Portalb.mk.

“Në periudhën e kaluar personat O.S.(28), R.S.(33) dhe M.G.(26) kanë qenë subjekt i interesimit të shërbimeve të sigurimit dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar të MPB-së dhe ASK-së me shërbime të tjera partnere të sigurisë, aktivitetet kanë rezultuar me një aksion policor të sinkronizuar të njëkohshëm në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Francës, me ç’rast janë privuar nga liria dy persona në vendin tonë dhe një person në Francë, ndërsa të gjithë janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me urdhër të gjyqtarit për procedurë paraprake për bastisje të banesave dhe objekteve tjera, MPB-ja sot në orët e paradites ka kryer kontrolle në dy lokacione në Shkup në afërsi të O.S dhe R.S, ku janë gjetur dhe konfiskuar armë zjarri, municione, telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të përmbajnë prova shtesë të krimit të kryer”, njoftojnë nga MPB.

Sipas provave të siguruara, Departamenti për Luftën kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot (12.05.2023) ka bërë kallëzim penal kundër personave të përmendur për veprën penale “shërbim në ushtri armike” parashikuar në nenin 322 të Kodit Penal.