Mes ligjit dhe ndërgjegjes

Në librin Morality, Politics and Law, Michael J. Perry argumenton se ligji nuk mund të kuptohet i ndarë nga morali dhe ndërgjegjja shoqërore. Edhe pse shtetet moderne mbështeten mbi institucione, procedura dhe norma juridike, funksionimi real i demokracisë varet nga diçka shumë më e brishtë: besimi i qytetarëve se drejtësia nuk është vetëm teknike, por është edhe morale.

Në shoqëritë moderne shpesh krijohet përshtypja se mjafton që një vendim të jetë “në përputhje me ligjin” për të qenë automatikisht i drejtë. Por historia juridike dhe politike na mëson të kundërtën. Ka pasur padrejtësi të mëdha që kanë qenë plotësisht legale. Ka pasur diskriminim të institucionalizuar, përjashtim dhe pabarazi që janë justifikuar me procedura, interpretime restriktive dhe formalizma juridikë. Prandaj dallimi mes ligjit dhe drejtësisë mbetet një nga sfidat më të mëdha të çdo demokracie.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në shoqëri si e jona, ku problemi kryesor shpesh nuk është vetëm mungesa e ligjeve, por mungesa e besimit në mënyrën se si ato zbatohen. Ekzistenca e një procedure juridike nuk mjafton për qytetarët. Ata duhet të binden se institucionet veprojnë me integritet, pa standarde të dyfishta dhe pa kalkulime politike.

Pikërisht këtu qëndron edhe tensioni i vazhdueshëm rreth përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe apo debatit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Të dyja këto çështje janë të garantuara juridikisht dhe burojnë nga Kushtetuta, ligjet, dhe vetë karakteri multietnik i shtetit. Megjithatë, pothuajse çdo përpjekje për zbatim më substancial të këtyre të drejtave vazhdon të trajtohet si kërcënim politik, e jo si realizim normal i një rendi kushtetues që tashmë ekziston.

Problemi nuk është vetëm juridik. Problemi është se interpretimi i të drejtave vazhdon të bëhet shpesh përmes frikës politike dhe jo përmes logjikës së barazisë qytetare. Në vend që ligji të interpretohet në mënyrë ekstenzive në favor të realizimit të të drejtave, ai shpesh reduktohet në minimumin e mundshëm të tolerueshëm politikisht. Dhe kur qytetarët e ndjejnë këtë dallim mes asaj që shkruan ligji dhe asaj që ndodh në praktikë, besimi në institucione dobësohet edhe më shumë.

Një nga deformimet më të rrezikshme të jetës politike sot është reduktimi i etikës në lojalitet partiak. Në këtë logjikë, një veprim nuk vlerësohet më si i drejtë apo i gabuar, por si i dobishëm ose i dëmshëm për “palën tonë”. Të njëjtat standarde që përdoren për kundërshtarët relativizohen kur bëhet fjalë për njerëzit “tanë”. Kjo e zbraz ngadalë vetë idenë e drejtësisë dhe e shndërron ligjin në instrument force politike, e jo në mekanizëm mbrojtës për qytetarët.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye besimi në institucionet e drejtësisë mbetet kaq i ulët. Jo sepse qytetarët nuk e respektojnë ligjin si ide, por sepse gjithnjë e më shpesh kanë ndjesinë se ligji nuk zbatohet me të njëjtën ndershmëri për të gjithë. Dhe një shtet nuk dobësohet vetëm kur nuk ka ligje të mira. Ai dobësohet kur qytetarët pushojnë së besuari se ligji dhe drejtësia janë ende në të njëjtën anë.

Në fund, asnjë demokraci nuk mund të mbijetojë vetëm me procedura formale. Institucionet mund të funksionojnë formalisht edhe kur besimi publik është i rrënuar. Por pa ndjenjën e drejtësisë, pa ndërgjegje morale dhe pa bindjen se shteti i trajton qytetarët me dinjitet e barazi, ligji rrezikon të mbetet vetëm një mekanizëm formal — i vlefshëm në letër, por i shkëputur nga njeriu dhe nga vetë ideja e drejtësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.