Meloni kundër tërheqjes së SHBA-ve nga Evropa: Italia i ka respektuar gjithmonë angazhimet
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur qëndrimin e saj kundër tërheqjes së mundshme të trupave amerikane nga Evropa, duke theksuar se një vendim i tillë nuk është në përputhje me bindjet e saj personale, transmeton Euronews.
Duke folur nga Jerevani, Meloni komentoi deklaratat e bëra nga Donald Trump për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në bazat evropiane, përfshirë edhe Italinë. Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë kohë që diskutojnë për një shkëputje të mundshme nga kontinenti evropian.
“Ne duhet të forcojmë sigurinë tonë dhe të rrisim kapacitetin tonë të reagimit. Kjo është një zgjedhje që nuk varet nga unë, por personalisht nuk pajtohem me të,” deklaroi Meloni.
Ajo shtoi se Italia ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të NATO. Sipas saj, vendi ka kontribuar në misione ndërkombëtare edhe në raste kur interesat e drejtpërdrejta kombëtare nuk kanë qenë të rrezikuara, duke përmendur angazhimet në Afganistan dhe Irak.
Në fund, Meloni kritikoi disa nga deklaratat që janë bërë ndaj Italisë, duke i cilësuar ato si të pasakta.