Meliza Krasniqi: Roli i grave në letërsinë shqipe është i transformuar, ato kanë rëndësi thelbësore

“Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” është monografia të cilën e ka sjellë së fundmi Meliza Krasniqi, studiuese e letërsisë, hulumtuese, dhe bashkëpunëtore e lartë shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në një intervistë për Portalb.mk Krasniqi foli për monografinë, kontributin e grave në letrësinë shqiptare dhe shumë të tjera.

Portalb.mk: Çfarë ju shtyu të ndiqnit rrugën e albanologjisë dhe të angazhoheni në hulumtimin e letërsisë shqipe?

Meliza Krasniqi: Që nga shkolla fillore e kam ushqyer dëshirën për leximin, e cila me kohë u shndërrua në pasion për letërsinë. Fillimisht ishin përrallat dhe më vonë tregimet, novelat e romanet. Në shkollën e mesme, nuk e dija se ekzistonte mundësia për të ndjekur studimet universitare në fushën e letërsisë. Mendoja se, ashtu si në arsimin parauniversitar, programet e studimit përqendroheshin kryesisht në aspektin gramatikor të gjuhës. Kur kuptova se ekzistonte drejtimi i veçantë për letërsinë shqipe u gëzova fort.

Zgjedhja e profesionit pastaj është çështje më vete. Gjatë studimeve, shumë prej nesh e projektonim veten në të ardhmen si pjesë e stafit akademik në fakultet, aty ku edhe e kishim marrë formimin. Megjithatë, puna kërkimore në Institutin Albanologjik paraqet një dimension tjetër të përkushtimit profesional: ajo ofron hapësirë për ata që janë të përqendruar ekskluzivisht në kërkimin shkencor dhe hulumtim, të pavarur nga angazhimet pedagogjike. Për një studiues të letërsisë, ambienti i tillë është ideal.

Portalb.mk: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të letërsisë shqipe, sidomos sa i përket përfaqësimit të grave autore?

Meliza Krasniqi: Letërsia shqipe, në fazën aktuale të zhvillimit të saj, mund të thuhet se ecën në hap me zhvillimet bashkëkohore të letërsive botërore, si në aspektin e krijimtarisë letrare, ashtu edhe në atë të lexueshmërisë. Edhe pse përmasat e saj janë më të vogla për nga gjuha dhe tregu, ajo përfiton natyrshëm nga ndikimet e letërsive të mëdha.

Në këtë kontekst, roli i grave në letërsinë shqipe është i transformuar. Në dallim nga periudhat e mëparshme, kur zëri i autores shpeshherë ishte i zëvendësuar, i heshtur ose i margjinalizuar, sot ai dëgjohet në mënyrë të barabartë me atë të burrave. Gratë autore janë të pranishme në të gjitha gjinitë letrare dhe në të gjitha nivelet e vlerësimit kritik: nga letërsia për fëmijë deri te romanet eksperimentalë, nga poezia lirike deri te eseistika dhe diskursi teorik. Përfaqësimi i tyre nuk është vetëm numerik, por esencial.

Portalb.mk: Cilat janë figurat letrare që ju kanë frymëzuar më shumë gjatë karrierës suaj akademike?

Meliza Krasniqi: Gjatë rrugëtimit tim akademik, figura të ndryshme kanë ushtruar ndikim të veçantë, në përputhje me interesimet e momentit dhe zhvillimin tim. Në fillim më ka tërhequr Faik Konica për ironinë dhe mendimin e mprehtë, më pas Mitrush Kuteli për artin e rrëfimit dhe ndërthurjen e traditës me modernitetin, si dhe Lasgushi për poezinë filozofike dhe muzikale. Në këtë rrafsh, do të përmendja gjithashtu Anton Pashkun dhe Azem Shkrelin për stilin e veçantë dhe individualitetin e tyre letrar.

Megjithatë, figura që do të veçoja me bindje të plotë është Musine Kokalari. Ajo nuk është vetëm objekti i studimit tim të doktoraturës, por mbi të gjitha personalitet i ndërliqshëm dhe kompleks. Musineja përfaqëson një ndër zërat më të fuqishëm dhe më të vetëdijshëm të letërsisë shqipe, si për përmbajtjen e veprës, ashtu edhe për jetën e përkushtuar ndaj të vërtetës, idealit dhe lirisë së mendimit. Ajo është autore që shenjon shndërrimin e gruas nga objekt në subjekt të shkrimit, dhe figurë e guximshme e rezistencës intelektuale dhe morale ndaj totalitarizmit.

Fotografi nga arkivi personal i Meliza Krasniqit. Foto: Meliza Krasniqi
Fotografi nga arkivi personal i Meliza Krasniqit. Foto: Meliza Krasniqi

Portalb.mk: Së fundmi keni botuar monografinë shkencore “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” cilat janë gjetjet më të veçanta që mund t’i ndani për lexuesit tanë?

Meliza Krasniqi: Monografia “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” është rezultat i një kërkimi të gjatë që synon të rikthejë në qendër të vëmendjes një pjesë të rëndësishme të letërsisë shqipe, të lënë për dekada në harresë. Gjatë kësaj pune kam hasur në emra që as vetë nuk i njihja më parë, e jo më lexuesi i zakonshëm. Nuk bëhet fjalë për figura të njohura si Adelina Mamaqi, e cila me të drejtë është pranuar si emër ikonik i letërsisë për fëmijë, por për autore të cilat, ndonëse kanë botuar dhe kanë shkruar, nuk janë përfshirë askund.

Ndër gjetjet më të veçanta do të veçoja natyrën lirike dhe temat e guximshme të poezisë së Natasha Lakos, që shpesh i tejkalojnë kufijtë e ideologjisë zyrtare. Po ashtu, kam analizuar tregimtarinë dhe eseistiken e Eglantina Mandias, rrëfimin për gruan dhe pozitën e saj në romanet e Helena Kadaresë, si dhe këndvështrimin filozofik të poezive të Edi Shukriut. Edhe shumë e shumë të tjera kanë sjellë tema interesante dhe perspektiva që meritojnë të bëhen pjesë e diskursit letrar bashkëkohor.

Portalb.mk: Cilat autore shqiptare ju kanë frymëzuar më shumë dhe pse?

Meliza Krasniqi: Ashtu siç e përmenda edhe më herët, figura që më ka frymëzuar më së shumti është Musine Kokalari-për vetë rolin që ajo ka luajtur në historinë kulturore dhe politike shqiptare si gruaja e parë që botoi librin “Siç më thotë nënua plakë” më 1939. Frymëzimin e kam gjetur veçanërisht te gratë që kanë shkruar në vitet ’30, sepse ato vepruan në kohën kur shkrimi për gruan ishte akt jo vetëm krijues, por edhe qytetar dhe emancipues.

Në këtë rrafsh do të përmendja Selfixhe Ciu Brojën, Luçie Serreqin, Jolanda Kodrën në Shqipëri, si dhe Ifete Agushin në Kosovë-autore që ndonëse kanë shkruar kryesisht poezi, më kanë frymëzuar jo aq për artin e vargut sa për guximin për të dalë në skenën publike. Për dallim nga autoret e periudhës së realizmit socialist, të cilat shpesh shkruanin brenda kufijve të përcaktuar ideologjikisht dhe formalisht nga sistemi, shkrimtaret e viteve ’30 shfaqën individualitet të lirë e të pavarur.

Portalb.mk: Sa autore dhe sa vepra keni sjellë përmes kësaj monografie, cili ka qenë frymëzimi juaj për të sjellë një monografi të tillë dhe cilat kanë qenë sfidat me të cilat jeni hasur gjatë hulumtimit tuaj?

Meliza Krasniqi: Monografia “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” përfshin një korpus të gjerë autoresh dhe veprash. Në pjesën e parë janë përfshirë dyzet e katër autore nga Shqipëria, nga gjithsej gjashtëdhjetë emra të identifikuar, ku një numër prej tyre prezantohen për herë të parë në këtë studim përmes analizës së veprave të tyre të botuara deri në vitin 1990. Pjesa e dytë trajton shtatëmbëdhjetë shkrimtare nga Kosova, të cilat gjithashtu kanë lënë pas vepra të botuara. Dy pjesët e tjera janë më të përmbledhura: ajo për shkrimtaret shqiptare nga Maqedonia e Veriut përfshin dy emra, ndërsa pjesa për autorët nga diaspora shqiptare në Itali përfshin gjashtë sosh.

Sfida kryesore ka qenë identifikimi i autoreve, për shkak të mungesës së burimeve të sistemuara. Shumë emra u gjetën pas kërkimesh në biblioteka, arkiva dhe periodikë. Sigurimi i veprave, shpesh të rralla ose të harruara, dhe analiza e tyre brenda kontekstit ideologjik të kohës kërkonte lexim të kujdesshëm dhe tejpamës. Megjithatë, ky proces ka qenë përvojë e dashur dhe shumë domethënës.

Portalb.mk: Cili ka qenë kontributi i grave në letërsinë shqipe?

Meliza Krasniqi: Gratë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm dhe shumëplanësh në letërsinë shqipe, duke sjellë perspektiva të reja mbi përvojën njerëzore, kryesisht atë të gruas. Ato kanë qenë veçanërisht të pranishme në letërsinë për fëmijë, në poezinë lirike, por edhe në prozë tregimtare, ndërsa më rrallë kanë shkruar dramë dhe kritikë letrare. Megjithatë, edhe aty ku prania e tyre ka qenë më e kufizuar, ato kanë sjellë zëra unik dhe këndvështrime të reja mbi realitetin shoqëror, marrëdhëniet gjinore, dhe jetën intime të grave, duke thyer klishetë e zakonshme të rrëfimit letrar.

Portalb.mk: A mendoni se letërsia ka ende një fuqi të madhe emancipimi për gratë në shoqërinë tonë?

Meliza Krasniqi: Në periudhën e realizmit socialist, tema e emancipimit të gruas në letërsi shpesh mori trajtë paradoksale: në vend që të synohej barazi gjinore, shpesh u krijua një kundërvënie mes gjinive. Figura e burrit degradohej për të përforcuar imazhin e gruas si simbol i përparimit, duke e reduktuar kompleksitetin e saj në funksion të një narrative ideologjike. Kjo qasje nuk i shërbente realisht emancipimit, por prodhonte skematizim dhe një tjetër formë instrumentalizimi të figurës femërore.

Në letërsinë bashkëkohore, megjithatë, ky model ka evoluar. Sot, emancipimi letrar nuk artikulohet më përmes përplasjes së drejtpërdrejtë gjinore apo afirmimit të një gjinie në kurriz të tjetrës, por përmes krijimit të subjekteve autentike, të lira dhe të shumështresuara. Letërsia bashkëkohore u ofron grave hapësirë të re-jo vetëm për të rrëfyer përvojën personale dhe kolektive, por edhe për të dekonstruktuar modelet e trashëguara, për të problematizuar identitetin dhe për të ndërtuar diskurse të reja rreth trupit, dëshirës, pushtetit dhe lirisë.

Portalb.mk: Cili është mendimi juaj për mënyrën si trajtohen gratë intelektuale në Kosovë?

Meliza Krasniqi: Në Kosovë, gratë intelektuale janë të pranishme dhe aktive në shumë fusha publike, por shpesh përballen me nënvlerësim të heshtur që ndikon në mënyrën si perceptohet dhe pranohet autoriteti i tyre. Ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në fushën institucionale apo mediatike, por shtrihet edhe në letërsi dhe në studimet letrare. Edhe sot dëgjohen shpesh komente si “ku u bë ajo?”, “s’di gjë ajo”, apo madje edhe “ia ka shkruar ai”, që nuk janë thjesht shprehje të paragjykimit individual, por simptoma të një strukture shoqërore që ende e sheh autorësinë e gruas me dyshim ose e lidh me praninë e burrit.

Portalb.mk: A ka barriera për gratë që duan të kontribuojnë në diskursin publik dhe kulturor?

Meliza Krasniqi: Po, ka ende barriera për gratë që duan të kontribuojnë në diskursin publik dhe kulturor në Kosovë. Siç e thash pak a shumë më lartë, ato përballen me paragjykime të vazhdueshme, që nga pritshmëritë për të qenë të përmbajtura e deri te mungesa e njohjes së autoritetit të tyre profesional apo krijues. Një grua që flet hapur apo mban qëndrim kritik shpesh etiketohet si e ashpër, arrogante apo e papërshtatshme.

Portalb.mk: ‘farë këshille do t’u jepnit vajzave të reja që duan të ndjekin rrugën akademike dhe të bëhen zëra aktiv në shoqëri?

Meliza Krasniqi: Vajzave të reja që duan të ndjekin rrugën akademike dhe të bëhen zëra aktivë në shoqëri do t’u thoja: mos prisni leje për të folur-flisni edhe kur s’ju dëgjojnë. Mos u ulni zërin për të qenë të pranueshme. Le të mësohet shoqëria me forcën e zërit tuaj, jo ju me heshtjen e saj. Dhe krejt në fund, dijenia nuk është grumbull faktesh, informacion, por është forcë që i jep gruas zë, vetëdije dhe vend meritor në shoqëri.