Me rastin e Ditës së Alfabetit u nda çmimi shtetëror “22 Nëntori”, e fitoi profesori Agim Vinca dhe shkrimtari Ahmet Selmani

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Këshilli për Ndarjen e Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” ndau çmimin shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2023 për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndër- njerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk

Fitues së sivjetmë të Çmimit Shtetëror “22 nëntori’’ janë:

Fotografi personale e autorit
Agim Vinca, fotografi personale e autorit

Profesori, poeti dhe studiuesi i letërsisë Agim Vinca i cili la lindur më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Ka qenë profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, profesor në Universitetin e Tetovës ku ligjëronte Letërsinë e sotme shqipe. Tani është pensionuar dhe merret me studime dhe shkrime letrare. Jeton mes Prishtinës e Strugës.

Fotografi personale e autorit
Ahmet Selmani, fotografi personale e autori

Ahmet Selmani , studiues, shkrimtar. Ka lindur më 7 mars 1965 në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta për letërsi – në Universitetin e Prishtinës, ku i ndoqi edhe studimet pasdiplomike. Një kohë të gjatë ka punuar si gazetar i kulturës në të përditshmen “Flaka”, pastaj redaktor i kulturës, redaktor i botimeve, komentator dhe, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i saj. Momentalisht punon në Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës.

Vendimi për miratimin e këtij çmimi:

Në përputhje me nenin 4-b të Ligjit për çmimet shtetërore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 52/06, 54/07, 74/12 dhe 99/18), dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve (Gazeta Zyrtare Nr. 7/19), me çmimin shtetëror  „22 nëntori“ jepet mirënjohja njerëzve nga jeta e politikës, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndër- njerëzore dhe mirëkuptimin e ndërsjellë midis pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme, kulturore dhe fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.  Në vit mund të  ndahen më së shumti deri më 2 çmime. Çmimin shtetëror e  ndan Komisioni për ndarjen e çmimit shtetëror „22 nëntori“, I përbërë nga një kryetar dhe 12 anëtarë, i cili shpall konkurs dhe miraton vendim për ndarjen e çmimit. Konkursi zgjat prej 1 deri më 31 maj. Çmimi shtetëror dorëzohet në Kuvendin e RM më 22 Nëntor- Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe. Çmimi shtetëror „22 nëntori“ për here të parë është ndarë në vitin 2019.

Fitues të çmimit “22 Nëntori”  që nga shpallja e parë janë :

2019-   humanisti dhe studiuesi prof. David Hosaflok, arsimtarët Kimete Agai Adnan Agai ,   Xhevat Lloshi,

2020- albanologu Xhevat LLoshi dhe akademiku Ali Aliu, kritik letrar.

2021- Profesori Ylber Sela dhe shkrimtari Fejzi Bojku

2022- Albanologu Zeqirja Neziri 

2023- Profesori Agim Vinca dhe shkrimtari Ahmet Selmani