Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, UNHCR do të mobilizojë të rinjtë të qëndrojnë në krah të refugjatëve

Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, më 20 qershor, UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatët, synon të mobilizojë brezat e rinj që ta njohin dhe ta mbrojnë sërish azilin si një të mirë të përbashkët globale dhe si gur themeli të mbrojtjes ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

Tema e UNHCR-së për këtë vit është “Derisa të gjithë të jenë të sigurt”. Në një kohë kur e drejta për të kërkuar azil po përballet me presione gjithnjë e më të mëdha në shumë pjesë të botës, kjo temë kujton rëndësinë e vazhdueshme të Konventës për Statusin e Refugjatëve të vitit 1951. E miratuar 75 vjet më parë, Konventa bazohet në një parim të thjeshtë, por të fuqishëm dhe universal: e drejta për të kërkuar siguri u përket të gjithëve.

“Derisa të gjithë të jenë të sigurt” u drejtohet brezave të rinj të udhëhequr nga dëshira për drejtësi sociale dhe solidaritet, ndërkohë që edhe vetë përballen me pasiguri dhe presione socio-ekonomike. Ajo i fton ata të mos e shohin azilin si një çështje të largët dhe abstrakte, por si një rrjet kolektiv sigurie – një rrjet që sot mbron më të cenueshmit, ndërsa nesër mund të mbrojë secilin prej nesh.

“Para shtatëdhjetë e pesë vjetësh, nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, bota dha një premtim themelor: çdo person i detyruar të largohet për shkak të luftës, konfliktit ose përndjekjes ka të drejtë të gjejë siguri dhe mbrojtje,” tha Komisioneri i Lartë i UNHCR-së, Barham Salih.

“Ky premtim ishte universal dhe u krijua për të zgjatur. Ai u ndërtua për gjyshërit tanë, për ne dhe për të gjitha brezat që do të vijnë.”

“Sot, ky rrjet sigurie është nën presion të jashtëzakonshëm. Por të drejtat e njeriut nuk janë objekt negocimi. Siguria nuk duhet të jetë privilegj. Askush nuk është vërtet i sigurt derisa më të cenueshmit mes nesh të jenë të sigurt. Të rinjtë na e kujtojnë këtë çdo ditë,” shtoi ai.

Fushata “Derisa të gjithë të jenë të sigurt” sfidon stereotipet për refugjatët dhe thekson se e drejta për të kërkuar siguri është një mbështetje jetike që shkon përtej ikjes nga lufta ose dhuna. Ajo plotëson objektivin e prezantuar së fundmi nga Salih për të ulur me më shumë se gjysmën numrin e refugjatëve në zhvendosje afatgjatë që varen nga ndihma humanitare gjatë dekadës së ardhshme.

Për ta arritur këtë, do të jetë e nevojshme të zgjerohen mundësitë për kthim vullnetar dhe rivendosje, si dhe qasja në punësim, kujdes shëndetësor dhe arsim, si dhe mbështetja për integrimin lokal – duke u mundësuar refugjatëve të dalin nga faza e mbijetesës dhe të rindërtojnë jetën e tyre me dinjitet.

“Askush nuk zgjedh të lërë pas gjithçka që do. Është një realitet tronditës që mund t’i ndodhë kujtdo, në çdo moment. Si dikush që e ka përjetuar këtë rrugëtim, e di se është vetëm çështje rrethanash që sot nuk po ikim unë apo ju. E drejta për të kërkuar siguri është një premtim i shenjtë i njerëzimit tonë të përbashkët dhe, derisa të gjithë të jenë të sigurt, duhet të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku,” tha Maya Ghazal, Ambasadore e Vullnetit të Mirë e UNHCR-së dhe refugjatja e parë siriane që u bë pilote.

“Si refugjate, e di se azili është një vijë shpëtimi e shpresës – dhe pikërisht empatia e bukur dhe e fuqishme e të rinjve sot më jep besim se kjo vijë shpëtimi do të vazhdojë të ekzistojë. Ne e kuptojmë se të gjithë jemi të lidhur dhe nuk do të ndalemi së foluri derisa të gjithë të jenë të sigurt,” shtoi ajo.

Fushata “Derisa të gjithë të jenë të sigurt” do të prezantohet në platformat globale digjitale, me zëra të ndryshëm të refugjatëve dhe mjete mësimore që do t’i ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë më mirë, të diskutojnë dhe të mbrojnë të drejtën për të kërkuar siguri.

UNHCR u bën thirrje të rinjve, krijuesve dhe liderëve të komuniteteve në mbarë botën që të bashkohen, të ngrenë zërin e tyre dhe të ndihmojnë që premtimi për siguri për të gjithë të mbetet gjallë – derisa të gjithë të jenë të sigurt.