“Më mirë për Tetovën”: Monopoli është një njollë e zezë për Tetovën

Iniciativa “Më mirë për Tetovën” ka reaguar në lidhje me zhvillimet e këtij mandati në Monopol, duke e vlerësuar si një njollë e zezë për Tetovën, transmeton Portalb.mk.

“Monopoli është një njollë e zezë për Tetovën, fatkeqësisht nuk i përjetoi syrit të etur për përfitime”, deklarojnë nga Iniciativa “Më mirë për Tetovën”, duke vlerësuar se Tetova është e ngulfatur nga kaosi urban dhe trafik.

Ata vlerësojnë se shembull për kaosin në Tetovë është bulevardi “Boris Kidriç”, duke theksuar se punimet janë vonuar dhe ka një vit që qytetarët lëvizin nëpër rrugë pa ndriçim, tabela informuese dhe transparencë.

“Është e paqartë se si përzgjidhen kompanitë që i projektojnë dhe realizojnë këto projekte dhe kush mban përgjegjësi kur punimet zvarriten apo dështojnë”, raportoi Iniciativa.

Ata vlerësojnë se trotuaret e qytetit janë të uzurpuara, ndërsa komunikacioni është kthyer në një luftë të përditshme.

Në lidhje me zhvillimet në zonën e ish-Monopolit në Tetovë, në muajin qershor kishte reaguar edhe Organizata për Kulturë dhe Mbrojtje të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore HUTA. Ata kanë kërkuar që në atë hapësirë të vendoset një pllakë përkujtimore në nderim të 10 mijë shqiptarëve të masakruar nga partizanët jugosllavë.

Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi. Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal aktual i Tetovës, shumicën e të cilit e përbëjnë Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.