Me helikopterë, avionë dhe dronë luftarakë u hap baza ushtarake ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë (VIDEO)

Sot bëhet hapja e bazës ushtarake ajrore të Kuçovës në Shqipëri në prani të shumë zyrtarëve dhe diplomatëve të vendit, rajonit dhe më gjërë. Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës Shqiptare Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës të NATO-s. Hapja e bazës ajrore në Kuçovë u zhvillua mes helikopterëve, avionëve dhe dronëve luftarakë që janë pjesë e kësaj baze, shkruan Top Channel.

Baza Ajrore Taktike e NATO-s do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës. Baza ajrore e Kuçovës ishte pjesë e bisedimeve dypalëshe mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe sekretarit Amerikan të shtetit Anthony Bliken.

Ministrja e mbrojtjes së RMV-së, Sllavjanka Petrovska në inagurimin e bazës ajrore në Kuçovë, foto printscreen nga video e kanalit të Edi Ramës

Ministri i Mbrojtjes të Shqipërisë Niko Peleshi: baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do të jetë nyje lidhëse për vendet e rajonit

Në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit të bazës së re të NATO-s në Kuçovë, Peleshi ka deklaruar se do jetë baza kryesore e Forcave Ajrore të Shqipërisë ndërsa theksoi se kjo është një pikë strategjike për Aleancën dhe për rajonin.

“Sot deklarojmë zyrtarisht hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë. Një ekip i jashtëzakonshëm ka punuar ditë e natë për ngritjen e kësaj baze. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s”, nënvizoi Peleshi.

Ministri u shpreh se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do të jetë nyje lidhëse për vendet e rajonit.

“Helikopterët Black Hock dhe dronët “Bajraktar” janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimet në bazë. Numri i tyre do rritet ndjeshëm në vijim”, shtoi ai.

Gjithashtu, ministri nënvizoi se kjo bazë ka kapacitet për përballjen me fatkeqësitë natyrore.

“Jo më larg se dy vite më parë askush nga ne nuk e kishte menduar që Evropa do të përballej me një agresion të tillë, siç po ndodh me agresionin rus në Ukrainë. Baza është një aset për të gjithë rajonin, ne do vijojmë përpjekjet për të vënë në përdorim të NATO-s edhe portin ushtarak të Porto Romanos”, tha Peleshi.

“Ballkani, i rrezikuar nga Rusia”, Rama: Baza ajrore në Kuçovë element sigurie, së shpejti edhe baza detare në Porto Romano

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë me një shkrim të gazetës “Zëri i Popullit”, fiks 70 vjet më parë, teksa vendin e vizitonte udhëheqësi sovjetik, Hrushovi.

“Jam këtu si përfaqësues i një gjenerate tjetër që pa ndryshimet demokratike. Po i referohem një fragmenti të Zërit të Popullit në maj të 1954-ës kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik. Gazeta shkruante; të vdekur po kërcenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur me herët për të pritur Hrushovin”, tha Rama.

Sipas tij “në atë kohë Shqipëria në këtë bazë që rihapet sot, konsiderohej si vend strategjik i perandorisë sovjetike përballë botës perëndimore. Këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Lufta do të niste me bombardimin e Vjenës, Shtutgartit. Sot jemi në anën tjetër. Shqipëria mirëpret aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë që është aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë”.

“Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me respekt aleatët e saj dhe partnerë, në një aleancë që është së pari aleancë vlerash për garantimin e paqes. Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohësh, arriti të përfundojë. Këtu me ne janë miq, aleatë. Falënderoj ministrin e Mbrojtjes së Italisë, që ka ardhur me disa avionë me vete. Falënderoj miqtë turq, që për 3 dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj dekade. Një bazë, që është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, që e dimë është jo pak i rrezikuar nga Federata Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti është vazhdim i rritjes së flotës sonë ajrore.

Falenderoj banorët e zonës, për durimin që kanë treguar. Uroj që kjo bazë të sjellë për ta, mundësi të reja punësimi.

E fundit, dua t’i shpreh falënderim të gjithë atyre që kontribuan, duke nisur nga aleatët tanë të NATO-s, me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re, do të shoqërohet në vitet në vijim, nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano. Jemi besimplotë se së shpejti do t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës. Urim për shëndet të gjitha Forcave tona të Armatosura, që dita ditës e bëjnë Shqipërinë më krenare”. tha Rama.

Avionët ushtarakë italianë në bazën e Kuçovës, dhe helikopterët Black Hawk, foto nga Top Channel
Avionët ushtarakë italianë në bazën e Kuçovës, dhe helikopterët Black Hawk, foto nga Top Channel

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj: Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj nga Kuçova shprehet se rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

Begaj: Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë.  Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.  Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive. I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.  Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë. Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt. Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite.  Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike.

Baza ajrore në Kuçovë, foto printscreen nga video e kanalit të Edi Ramës
Baza ajrore në Kuçovë, foto printscreen nga video e kanalit të Edi Ramës

I Ngarkuari me Punë të Ambasadës Amerikane: Jemi më të fortë së bashku, përgëzoj dëshirën e Shqipërisë për të zgjeruar më tej angazhimin në NATO

I Ngarkuari me Punë të Ambasadës Amerikane, David Wisner, në fjalën e tiij në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, vlerësoi angazhimin e shtuar të Shqipërisë në Aleancë.

“NATO qëndron si aleanca më e suksesshme dhe më e qëndrueshme. Që nga pushtimi i Ukrainës, NATO është rritur si simbol i solidaritetit. Përgëzoj dëshirën e Shqipërisë, për të zgjeruar më tej angazhimin në NATO. Pres me padurim rritjen dhe kontributin e vazhdueshëm. Ne jemi më të bashkuar dhe më të fortë së bashku”, u shpreh ai.

Ndërsa i dërguari nga Ministria turke e Mbrojtjes, u shpreh se aktivitetet ajrore në këtë bazë do të kryhen në mënyrë efektive.

“Urojmë që baza ajrore e Kucovës të jetë një ogur i mirë për Aleancën. Shqipëria është zhvilluar pothuajse në çdo fushë së fundi. Mes Shqipërisë dhe Turqise, ekziston një vëllazëri e thellë. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin më të lartë. Sot e shohim Turqinë si një vend fqinj, edhe pse s’jemi në kufi.

Aktivitetet ajrore do të kryhen në mënyrë efektive. Turqia, është aleate e NATO-s, e vetëdijshme ëpr detyrat e saj. Kontributi ynë për modernizimin e kësaj baze, është një shembull i vërtetë. Turqia, is vendi që ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO_s, është e gatshme të kontribuojë gjithnjë”.