Me 63 vota “pro”, Goce Naumovski u emërua gjyqtar i ri kushtetues
Profesori Goce Naumovski, i cili ishte këshilltar i kryeministrit Hristijan Mickoski, u zgjodh gjyqtar i ri i Gjykatës Kushtetuese në seancë parlamentare me 63 vota “pro”. Kishte shtatë kundër dhe asnjë abstenim, transmeton Portalb.mk.
Naumovski ishte në listën e këshilltarëve të Qeverisë që u publikua në janar të vitit të kaluar dhe, siç ishte shkruar, ai e këshillonte kryeministrin për çështje nga fusha e drejtësisë.
Ai është profesor me kohë të plotë në Departamentin e së Drejtës Romake dhe jep disa lëndë, të Drejtën Romake, të Drejtën dhe Teknologjinë e Informacionit; të Drejtën e patentave, të Drejtën sportive, Retorikën, Pronësinë intelektuale, Retorikën ligjore dhe argumentimin.
Ai do të zëvendësojë gjyqtaren Jadranka Daboviq-Anastasovska, e cila dha dorëheqjen nga posti i gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese në dhjetor. Dorëheqja, siç u informua nga Gjykata Kushtetuese, u paraqit për arsye shëndetësore dhe personale.