Më 29 dhe 30 shtator mbahen ”Takimet e Pellagonisë”

Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Etnokultura e Pellagonisë (Prilep, Krushevë, Dollnen)” që do të mbahet në Krushevë më 29-30 shtator 2023 përveç aktiviteteve tjera të detajuara në shkrimin më poshtë,në këtë aktivitet të sipërpërmendur do të ketë edhe gjashtë studiues nga Prilepi, njofton Portalb.mk.

Në kuadër të Manifestimit “Takimet e Pellagonisë”, Shoqata për Etnokulturë Shqiptare “Etnolab” nga Shkupi, në bashkëpunim  me shoqatat vendore, do të mbajë Konferencë Shkencore Ndërkombëtare me temë “Etnokultura e Pelagonisë (Prilep, Krushevë, Dollnen)”. Do të marrin pjesë  27 studiues nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut , në mesin e tyre edhe gjashtë studiues nga rrethi i Prilepit. Do të paraqiten me këto kumtesa:

Rexhep Ibrahimi–   Hapja e shkollës së parë shqipe në fshatin Cërnilishtë të Prilepit.

Prof.dr. Mustafa Ibrahimi – Këngët e Ramazanit në rajonin e Prilepit.

Dr.Asoc. Irfan Ahmeti – Roli i ushqimit dhe aktivitetit fizik mbi diabetin tek popullata e rrafshit të Pelagonisë

Mr. Sevgani Ibrahimi – Arsimi fillor dhe i mesëm në rajonin e Prilepit dhe Krushevës.

Doc.dr. Murat Aliu – Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i shqiptarëve në komunën e Dollnenit

Mr.Muhamedali Ibrahimi (doktorant) – Figura e Ali Fethi Okyar nga Prilepi (1880 – 1943),  kryetar i Kuvendit Turk (1923) dhe kryeministër i Qeverisë Turke (1924-1925).

Këto takime mbahen me iniciativë të intelektualëve dhe artdashësve të Prilepit dhe Shoqatës për  Trashëgimi Kulturore Alb- Kult.

Kalendari i aktiviteteve të këtij manifestimi do të jetë siç vijon:

Në Krushevë (29-30.09.2023) do të mbahet Konferencë Shkencore Ndërkombëtare “Etnokultura e Pelagonisë” (Prilep, Krushevë e Dollnen), nga Shoqata “Etnolab”. Marrin pjesë rreth 30 studiues nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut.

Në Cërnilishtë (30.09.2023) do të mbahet koncert nga Ansamnli Shqiptar i Valleve dhe Këngëve në RMV. Mysafir special: Lindita Purellku (Kërçovë), Zaid Aliu (Manastir), Feta Gjoleka (Prilep) dhe Grupi folklorik “Rreth Oxhakut” (Veles).