Këshilli Gjyqësor i RMV-së: Gjykatave të larta u mungojnë 49 gjyqtarë

Këshilli Gjyqësor sot në shpalljen e dytë zgjodhi gjashtë gjyqtarë të rinj, nga tre për gjykatat penale dhe civile në Shkup, të cilët së bashku me gjyqtarët e zgjedhur dy muaj më parë nga shpallja e parë numërojnë gjithsej 30 gjyqtarë të porsazgjedhur për më shumë gjykata në të gjithë vendin nga të diplomuarit e Akademisë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, por ky numër nuk mjafton për funksionim optimal dhe efikas të gjykatave. Në seancën e Këshillit Gjyqësor, anëtarët shqyrtuan analizën e pozitave të nevojshme gjyqësore në Gjykatën Supreme, në Gjykatën e Lartë Administrative dhe në Gjykatat e Apelit të Shkupit, Manastirit, Gostivarit dhe Shtipit, nga të cilat doli se ka mungesë të gjyqtarët në të gjitha gjykatat e larta, diku më shumë e diku më pak, është e nevojshme të plotësohen pozitat e parapara për të siguruar funksionimin e tyre të rregullt, efikas dhe të përditësuar, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e komisionit që bëri analizën, Vesna Dameva, theksoi se sipas parametrave që i kanë marrë, është konstatuar se në disa gjykata të larta nevojiten më shumë gjyqtarë se sa ishte konstatuar më parë me sistematizimin e bërë nga Këshilli Gjyqëso rdhe se para Këshillit është detyrë e vështirë plotësimi i pozitave të parapara gjyqësore, sepse në të njëjtën kohë ka mungesë të gjyqtarëve në gjykatat themelore në mbarë Maqedoninë, shumica e të cilëve kanë kompetenca të zgjeruara. Në total, në këto gjashtë gjykata të larta mungojnë gjithsej 49 gjyqtarë.

Sipas analizave të bëra nga Dameva në Gjykatën Supreme, sipas sistematizimit dhe sipas mendimit të vetë Gjykatës Supreme, nevojiten 28 gjyqtarë dhe për momentin janë 16, njëri prej të cilëve kryetar i gjykatës, ndërsa një tjetrit i pushon mandati.

“Puna e Gjykatës së Lartë është e shpërndarë në katër departamente, pra numri optimal i gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë është 26, gjegjësish, kjo do të ishte pesë gjyqtarë për çdo departament dhe përveç kësaj pesë gjyqtarë të tjerë, si dhe një që do të të jetë anëtar i Këshillit Gjyqësor”, tha Dameva.

Në Gjykatën e Lartë Administrative, sipas sistematizimit, parashikohen 13 gjyqtarë, ndërsa punojnë tetë gjyqtarë, ku kryetari është gjyqtar në Gjykatën Administrative, jo në Gjykatën e Lartë Administrative. Sipas analizës, numri optimal i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë Administrative është 12, gjegjësisht tre për çdo këshill gjyqësor që funksionon pranë kësaj gjykate.

Për Apelin e Shkupit u theksua se sipas sistematizimit janë paraparë 52 gjyqtarë dhe aktualisht punojnë vetëm 30 gjyqtarë, dy prej të cilëve u pushon mandati, për shkak se janë gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Sipas analizës së Këshillit Gjyqësor, megjithatë, për punë optimale të Apelit të Shkupit, nevojiten 66 gjyqtarë, 13 gjyqtarë për secilin departament të paraparë – penal, civil, komercial, departamenti për kontestet e punës dhe departamenti për praktikë gjyqësore.

“Kjo gjykatë është e vetmja që vendos në proceset e apelit për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mbulon një zonë apeli me gjykata me një vëllim të madh pune. Nuk mund të zvogëlohet numri i gjyqtarëve, e sa shpejt do të plotësohen është një pyetje tjetër”, thekson Dameva.

Për Apelin e Gostivarit, ajo tha se sipas sistematizimit janë krijuar 16 pozita për gjyqtarë dhe janë plotësuar 14 pozita, prej të cilave një gjyqtar është kryetar i gjykatës dhe një anëtar i Këshillit Gjyqësor. Në këtë gjykatë punojnë tre departamente të specializuara, ndaj sipas analizave nevojiten gjithsej 15 gjyqtarë, nga pesë për çdo departament.

Në Apelin e Manastirit pas sistematizimi janë planifikuar 25 pozita gjyqtarësh, ndërsa punojnë vetëm 13, njëri prej tyre kryetar i gjykatës, tjetri ka post në Apel, sepse është kryetar i Gjykatës themelore të Ohrit. Sipas analizës në Apelin e Manastirit, ku puna është e ndarë në tri departamente, penale, civile dhe praktikë gjyqësore, nevojiten 20 gjyqtarë.

Në Apelin e Shtipit, sistematizimi ka paraparë 16 vende, por punojnë vetëm tetë gjyqtarë. Puna është e ndarë në dy departamente, civil dhe penal dhe sipas analizave, për punën optimale të kësaj gjykate nevojiten 12 gjyqtarë.

Dameva ka theksuar se në këtë analizë nuk është marrë parasysh numri i gjyqtarëve që së shpejti do t’i plotësojnë kushtet për pensionim.

Anëtari i Këshillit Gjyqësor, Ivica Nikollovski, tha se në të gjitha gjykatat ka një numër më të vogël të gjyqtarëve sesa duhet, gjë që ndikon në punë.

“Zhvillohen procedura të gjata, kemi gjykime brenda një periudhe të paarsyeshme, gjykatat janë joefikase në punën e tyre, por duhet theksuar se nuk është vetëm numri i gjyqtarëve që garanton një rezultat optimal, sepse shumë procedura varen nga palët e tjera të interesuara. Ne si Këshill Gjyqësor duhet të gjejmë një mënyrë për të plotësuar vendet vakante dhe më pas të analizojmë rezultatet që do të kenë gjykatat. Por, duhet pasur kujdes edhe në gjykatat themelore, nëse gjykatat e larta i mbushim me personel më të vjetër dhe me përvojë, ekziston rreziku që në gjykatat themelore të mbeten vetëm gjyqtarët e rinj”, tha Nikollovski.

Këshilli Gjyqësor në seancën e djeshme zgjodhi Liljana Milanova, Vllatko Sekovski dhe Nadica Mitreska për gjyqtare në Gjykatën Themelore Penale dhe Irena Mitreska, Vllatko Sekovski dhe Sanja Tomi1 Velkovski për gjyqtare në Gjykatën Themelore Civile Shkup. Të gjithë gjyqtarët e sapozgjedhur janë akademikë të diplomuar nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve që nuk janë përzgjedhur në shpalljen e parë dhe për ta është shpallur shpallja e dytë dhe me zgjedhjen e tyre janë zgjedhur gjyqtarë të gjithë akademikët e diplomuar të gjeneratës së fundit të akademikëve. Në shpalljen e dytë, përveç gjykatave të Shkupit, kërkoheshin gjyqtarë edhe për gjykatat themelore në Berovë, Dellçevë, Kërçovë, Krushevë, Kumanovë dhe Shën Nikollë, por për këto pozita nuk kishte aplikuar asnjë kandidat.